Hollshtajn: Çështjet bilaterale nuk duhet të jenë pjesë e kornizës negociuese për Maqedoninë

Gjermania dhe shtetet anëtare të BE-së vlerësojnë se problemet me Bullgarinë nuk duhet të inkorporohen në kornizën negociuese që po përgatitet për Maqedoninë e Veriut. Ambasadorja e Gjermanisë, Anke Hollshtajn për Radion Evropa e Lirë, tha se pavarësisht memorandumit, Sofja nuk synon ta bllokojë zgjerimin e BE-së në rajon.

- Advertisment -

Të gjitha shtetet e tjera anëtare janë të mendimit se problemet dypalëshe duhet të zgjidhen në mënyrë dypalëshe. Bullgaria gjithnjë ka qenë mbështetës i madh i zgjerimit evropian kah rajoni, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Interes thelbësor i Bullgarisë nuk është ta bllokojë procesin e zgjerimit të BE-së në këtë rajon – deklaroi Anke Hollshtajn, Ambasadore e Gjermanisë.

Kryeministri, Zaev tha se konferenca e parë ndërqeveritare me BE-në do të mbahet në fund të vitit, ndërkohë me Bullgarinë do të negociohet në nivel politik dhe shkencor. Është optimist se deri atëherë do të gjendet zgjidhje në kornizë të Marrëveshjes dypalëshe, duke theksuar se vetë-përcaktimi për gjuhën dhe identitetin etnik është vlerë evropiane. Zaev hedh poshtë idenë e VMRO DPMNE-së për miratimin e një rezolute.

Kuvendi nuk duhet të miratojë rezolutë, vendim apo deklaratë, sepse do të vijoj një tjetër nga Kuvendi bullgar e pastaj një tjetër nga Kuvendi maqedonas. Kjo nuk shpie drejt zgjidhjes. Kuvendi bullgar është institucion demokratik në Bullgarinë fqinje, është në rregull të miratojë vendime, sigurisht ndjehet presioni edhe në Bullgari për këtë çështje. Ky është mendimi im personal, por gjithsesi Kuvendi është mbi mua si Kryeministër dhe nëse vendos gjithsesi mund të diskutojë. Por mendoj se duhet t’i lëmë hapësirë negociatave, sepse vetëm ashtu mund të gjejmë zgjidhje dhe të ecim përpara – tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Për koalicionin ASH-AAA është mirë që çështja të diskutohet në ligjvënës, por se do të shqyrtojnë propozimin e VMRO DPMNE-së pasi ta marrin në formë të shkruar.

Intenca jonë kryesore është nisja e bisedimeve për anëtarësim në BE dhe normalisht arritja e anëtarësimit në BE. Edhe raportin me Bullgarinë e shohim në këtë prizëm. Sa i përket propozimit, do ta shqyrtojmë në organet partiake pasi ta lexojmë tekstin e propozimit dhe sigurisht do të marrim vendim -tha Halil Snopçe, ASH AAA.

BDI dhe E Majta nuk e komentojnë idenë e VMRO DPMNE-së që të gjitha partitë unanimisht të miratojnë një rezolutë, me të cilën do të ndalohej negociimi për identitetin dhe gjuhën maqedonase me Bullgarinë.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button