Hoti: Ose dakordohemi për zgjedhjen e presidentit të ri ose caktojmë datën e zgjedhjeve

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se brenda disa ditëve do të takohen të gjitha subjektet politike parlamentare për të diskutuar lidhur me presidentin, pasi ose duhet të ketë dakordim për zgjedhjen e presidentit të ri, ose duhet të ketë dakordim për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Hoti në një konferencë për media, tha se me zhvillimin që lidhen me Dhomat e Specializuara, është krijuar një rrethanë e re, ku presidenit i vendit nuk është më në detyrë dhe , që nënkupton që duhet të marrim hapat kushtetues për të tejkaluar këtë situatë.

“Janë dy rrugë, partitë politike duhet të ulen bashkë për t’u dakorduar për zgjedhjen e presidentit të ri, ose duhet të dakordohen për të shkuar në zgjedhje, për të caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme që duhet të mbahen. Këto veprime kanë ndodhur para një jave, ende nuk kemi filluar konsultimet e brendshme me partitë politike për të parë cili është disponimi. Kemi dëgjuar deklarime publike të partive të ndryshme karshi kësaj teme por besoj që së shpejti, për disa ditë, disa javë, ulemi të gjitha partitë politike parlamentare dhe duhet të flasim si njerëz të civilizuar, si parti politike të përgjegjshme për të gjetur zgjidhje për qytetarët“, tha ai.

Lidhur me deklaratën e peridentit Alaksandër Vuçiq për dialogun dhe për konfliktin që mund të rrezikojë Kosovën, Hoti tha se deklarata të tilla nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit.

“Deklaratat e dhëna dje nga pala serbe, nga fqinji i jonë veri janë jo adekuate. Nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit dhe nuk janë në frymën për të cilën jemi dakorduar që të punojmë së bashku në proceset e dialogut. Mbi bazën e kësaj ne kemi lëshuar dje një qëndrim zyrtarë të Qeverisë së Kosovës karshi kësaj duke qenë të matur dhe konstruktiv, duke treguar qartë se koha e konflikteve ka kaluar. Çështjet e hapura që i kemi dy vendet tona, duhet t’i zgjidhim përmes dialogut, nuk ka rrugë tjetër, çdo deklaratë tjetër vetëm krijon situatë të panevojshme. Mesazhet e Qeverisë tonë janë mesazhe të paqes, stabilitetit dhe vendosmërisë për të ruajtur sovranitetin e vendit me të gjitha mjetet ligjore dhe kushtetuese, si dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar”, tha ai.

LEXO EDHE:

Back to top button