Antikorrupsioni, pa kushte të mira për punë

Komisioni për Pengimin e Korrupsionit, ndjehet i zhgënjyer nga pushteti, për shkak se premtimet për mbështetje kanë mbetur vetëm deklarative. Kryetarja e Antikorrupsionit Biljana Ivanovska thotë se edhe në vitin e tretë të mandatit, ky komision do ta luftojë korrupsionin pa kushte përkatëse për punë, pa pasur hapësira ku t’i vendosë në përdorim pajisjet teknike dhe serverët që ka marrë si donacion nga Bashkimi Evropian.

Jemi optimistë se do të rregullohet puna, por na pengon mbështetja deklarative, e dini se tashmë dy vite kaluan, edhe një vit më herët institucioni ka luftuar për hapësirë më përkatëse. Tre vite nuk mundej të gjendet zgjidhje për institucionin, dy vite negociuam, vitin e fundit u tërhoqën paratë e dedikuara për blerjen e atij objekti për shkak të Covidit, e menjëherë u gjetën para që të blihet ajo hapësirë por jo për institucionin tonë. E kjo me të vërtetë na pengon për shkak se ndjehemi pak të manipuluar, e ndjejmë mbështetjen por ama vetëm deklarative, jo me të vërtetë.”-tha Biljana Ivanovska, kryetare e Antikorrupsionit.

Kreu i Antikorrupsionit thotë se shpreson që Qeveria të mbajë premtimin për mbështetje disa vjeçare për softuerë por edhe për së paku tetë punësime të reja. Po ashtu shpresojnë se pushteti do të marrë parasysh dhe do të veprojë edhe për të gjitha lëndët në të cilat Antikorrupsioni ka vlerësuar se ka parregullsi dhe konflikte interesash në emërimet e drejtorëve dhe ushtruesve të detyrës drejtor. Kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit Ivanovska thotë se pret që së shpejti në Kuvend të miratohet edhe Strategjia nacionale për punë në vitet 2021-2025, ku janë përfshirë edhe katër sektorë shtesë si sport, bujqësi, ndërtimtari dhe urbanizëm dhe sektori për mjedisin jetësor.

Në aspekt të asaj që e kemi vendosur në Strategji i kemi vendosur dy sfera horizontalisht të cilat hasen në të gjitha institucionet, punësimet dhe procesi i furnizimeve publike. Do të thotë këtu kemi detektuar rreziqe të caktuara. Theksova se kemi katër sektor të rinj. Këtu është arsimi, shëndetësia, puna dhe politika sociale, mediat, ekonomia, do të thotë diapazon më i gjerë i sferave që janë shumë të rëndësishme si gjyqësori, organet që janë për zbatimin e ligjit si MPB e DAP e kështu me radhë.”-pohoi Biljana Ivanovska, kryetare e Antikorrupsionit.

Ivanovska thotë se në dy vitet e fundit, së tepërmi është rritur besimi i qytetarëve tek Antikorrupsioni. Këtë, sipas saj, e tregon numri i paraqitjeve për lëndë të thjeshta, por edhe numri i shtuar i informatorëve. Qeveria, edhe në këtë mandat, ka premtuar mbështetje më të madhe për Antikorrpsionin dhe plotësimin e kushteve të nevojshme për punë.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button