“Presion ndërkombëtar ndaj Sofjes për kontestin me Shkupin”

Ekspertët vlerësojnë se kontesti mes Shkupit dhe Sofjes nuk mund të zgjidhet me ndërmjetësim ndërkombëtar, por me presion të shtuar ndaj Bullgarisë. Njohësi i zhvillimeve në rajon, Florian Biber tha për Alsat se historia dhe gjuha nuk janë substancë me të cilën do të mund të merrej një ndërmjetësues. Madje sipas tij, tejkalimin e kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë si dy anëtare të plotëfuqishme të NATO-s, nuk do të mund ta ndihmonte as OKB-ja e cila për 20 vjet ndërmjetësoi negociatat mes Shkupit e Athinës.

“Nuk është konflikt mes dy shteteve, por më shumë. Bullgaria po e përdor fuqinë në BE si përparësi kundër Maqedonisë së Veriut. Prandaj duhet t’i bëhet presion Bullgarisë se kjo është e papranueshme. Ka dallime historike, çështja e gjuhës, pakicës. Por nuk mendoj se duhet ndërmjetësim. Diskutimi për historinë duhet t’i lihet historianëve. Pakica nuk është lëndë dypalëshe, por është çështja nëse pakica ekziston. Ka standarde evropiane për të drejtat e pakicave.”-tha Florian Bieber, profesor.

Biber vlerëson se arritja e kompromisit do të jetë më e lehtë pas zgjedhjeve në fqinjin lindor, atëherë kur edhe SHBA do të ndihmojë.

“Administrata e ardhshme e Bajdenit nuk do të ketë interes të madh në Ballkan por do të jetë më e koordinuar me BE-në. Ndryshe nga administrata e Trumpit e cila punonte kundër BE-së, administrata e re do të punojë me BE-në, do të jetë më shumë multi-lateraliste, me politika si ato të Obamës. Një mesazh i qartë nga SHBA-të do të ndihmojë. Kur SHBA-të dhe shtetet tjera anëtare të BE-së të thonë se pozicionet e Bullgarisë janë destruktive për politikat euro-atlantike në rajon, do të jetë vështirë për një kryeministër bullgar t’i injorojë.”-pohoi Florian Bieber, profesor.

Deri më tani, BE ka refuzuar të përgjigjet nëse do të ndërmjetësojë, me arsyetimin se çështja dypalëshe duhet zgjidhur nga dy vendet. Madje shumë ekspertë vlerësojnë se BE nuk mund të ofrojë ndërmjetësim objektiv, përderisa njëra palë në kontest është anëtare e saj, ndërsa tjetra është kandidate. Nëse do të ketë ose jo ndërmjetësim nuk e di as Ministria e Jashtme, e cila gjithsesi ka pranuar se një gjë e tillë do të ishte e dobishme.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button