Fyerje ndaj shqiptarëve në tekstet shkollore

Nxënësit shqiptarë akoma mësojnë nga libra me përmbajtje që nxisin urrejtjen. Bëhet fjalë për librin e Gjeografisë së vitit të II-të ku thuhet se shqiptarët kanë qenë maqedonas dhe se me pranimin e fesë islame janë shqiptarizuar. Reagon koalicioni ASH-AAA, kërkojnë përgjegjësi nga ministrat  e BDI-së që kanë lejuar këtë përbuzje.

- Advertisment -

“Prej shqiptarëve të Maqedonisë ekzistojnë fise që e llogarisin veten si autokton, kryesisht ato janë popullsi maqedone që gjatë periudhës së sundimit turk e kanë pranuar fenë islame dhe gradualisht janë shqiptarizuar. Midis tyre ka edhe nga ndonjë fis që e ka prejardhjen turke, rome ose çerkeze”, thuhet në librin e Gjeografisë.

Kjo është vetëm një pjesë e një teksti të librit të Gjeografisë që mësojnë nxënësit në vitin e dytë të shkollës së mesme.

Përkundër premtimeve të shumta nga drejtues të Ministrisë së Arsimit e që pas 2002 kanë qenë shqiptarë, për përmirësimin e gabimeve skandaloze në shumë tekste shkollore, libri i Gjeografisë i botuar në vitin 2002 e që mban autorët Dragan Vasileski, Bllagoja Markoski, Nikolla Panov, Nikolla Dimitrov e Gjorgji Pavllovski vazhdon të ribotohet me të njëjtën përmbajtje.

Fatmir Amiti profesor në gjimnazin Zef Lush Marku thotë se nxënësve u shpjegon se ky tekst është tendencioz.

Muaj më parë ministrja e Arsimit Carovska premtoi ndryshime sistemore në përgatitjen e materialeve mësimore nga muaji mars i këtij viti. ALSAT drejtoi pyetje deri në këtë ministri mbi atë se deri ku është përpilimi i metodologjisë së re, megjithatë deri më tani pa përgjigje konkrete.

“Me heqjen e disa librave nga përdorimi nuk do të kryejmë punë. Punë do të kryejmë vetëm derisa kemi koncept të ri të materialeve didaktike, në metodologji në të cilën do të marrin pjesë njerëz të cilët me të vërtetë do t’i shohin të gjitha aspektet e jetesës në shoqëri dhe nuk do jenë të fokusuar vetëm në temën e tyre. Librat në vendin tonë janë në nivel të ulët dhe këtë të gjithë ne e dimë. Që të kemi sistem gjithëpërfshirës i cili do të ofrojë libra kualitativ duhet të bëhet zgjidhje e re ligjore dhe metodologji e re për vërtetimin e përmbajtjeve shkollore dhe materiale mësimore didaktike, kjo mund të arrihet vetëm me qasje sistemore”, deklaroi Mila Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës ( 29.10.2020).

Koalicioni ASH-AAA përmes një komunikate reagoi ashpër ndaj heshtjes së institucioneve për këtë çështje. Sipas tyre kjo përbuzje Institucionale është bërë me dijeninë dhe përgjegjësi të ministrave të BDI-së, që ndër vite kanë lejuar një denigrim të tillë ndaj shqiptarëve nga institucionet shtetërore. Ky koalicion kërkon  ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për librat shkollorë:

– Konceptimi i librave shkollorë për nxënësit shqiptarë të realizohet nga autorë shqiptarë

– Konkursi për librat e rinj të ketë formën ku do të pranohen minimum dy libra më të mirë nga dy gjuhët, që pastaj të mund të gërshetohen temat nga komisioni multietnik për cilësi më të mirë të librit.

Koncepti i librave shkollorë për nxënësit shqiptarë të realizohet nga autor shqiptarë si dhe konkursi për librat e rinj të ketë formën ku do të pranohen së paku dy libra më të mirë nga dy gjuhët me qëllim që të mund të gërshetohen temat nga komisioni multietnik për cilësi më të mirë të librit.

 

Vjollca Aliti                                                

LEXO EDHE:

Back to top button