Shënohet dita e flamurit kombëtarë, aktivitete të shumta në Shqipëri e Kosovë

Adrian Kerimi

Shqiptarët festojnë 28 nëntorin, Ditën e Flamurit dhe 109-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Manifestimi qendror u mbajt në Vlorë, ku për në këtë përvjetor u ngrit flamuri kuq e zi.

Në ceremoni mori pjesë presidenti, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit, Linditë Nikolla dhe kabineti qeveritar. Rama në vigjilje të pavarësisë, promovoi nisjen e punimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.

“Jo se dua ta besoj por e besoj me gjithë forcën e mendjes dhe të zemrës se ky aeroport është një vepër historike jo për Vlorën, por për Shqipërinë dhe Kosovën si dhe gjithë shqiptarët”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Manifestim kishte edhe në Kosovë. Aktivitetet u përqendruan në Kompleksin e Jasharajve në Prekaz, ndërsa presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti bën homazhe në varrin e atdhetarit Adem Demaçi.

“Kjo është një ditë e cila na mbush edhe me gëzim edhe me krenari, por edhe me përgjegjësi. Sepse detyrat para nesh për të ngritur mirëqenien e shqiptarëve dhe qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendin, për të shtuar demokracinë në republikën tonë janë më të rëndësishme se sa kurrë më parë”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovë.

Në Prishtinë u vendos një flamur me portretet e ish presidentit Hashim Thaçi dhe ish kryeparlamentarit Kadri Veseli. Ndërkohë në Maqedoni të Veriut të gjitha aktivitetet e planifikuara për Ditën e Flamurit u anuluan për shkak të tragjedisë së 23 nëntorit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button