Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov i mbijetoi interpelancës

Dështoi interpelanca ndaj zv/kryeministrit për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov. 53 vota të deputetëve të opozitës nuk mjaftuan që ta shkarkonin nga detyra Dimitrovin, të cilin e mbrojtën 55 deputetë të shumicës parlamentare. Interpelanca e opozitës bazohej në dështimin e çeljes së negociatave me BE-në, por në debatin e djeshëm 12 orësh ndaj Dimitrovit u adresuan edhe kritika personale.

Anëtarësimi në NATO nuk është meritë e asnjë individi, por i ishte premtuar Maqedonisë që nga viti 2008. Edhe atëherë mund të bëheshim anëtare në NATO, të gjithë e dimë cili ishte kushti dhe pse nuk arrihej marrëveshje. Ka pasur shumë kryeministra por asnjëri nuk pati guxim në këtë mënyrë ta zgjidhte problemin – deklaroi Bojan Stojanovski, VMRO DPMNE.

Për Dimitrovin interpelanca ishte irracionale.

“Fjalimet, temat dhe sulmet personale ma vërtetuan tezën se interpelanca nuk ka lidhje me punën time reale, gjithsesi më shumë i ngjan teatrit politik. U përgjigja për pjesëmarrjen në komision, nuk u ftova si duhej dhe nuk e kisha patjetër të merrja pjesë. Sqarova dallimet rreth qasjes sime ndaj opinionit në aktivitetin tim ndërkombëtar, të ndershëm dhe të suksesshëm për dallim nga i juaji, jo aq i ndershëm dhe i dështuar -u shpreh Nikolla Nimitrov, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

Ndërkohë VMRO DPMNE-ja ka dorëzuar në Kuvend edhe dy nisma për interpelanca dhe pret që kryparlamentari brenda 15 ditëve t’i vendos në rend dite. Por LSDM-ja paralajmëron se me përpjekje të tilla për ta penguar punën e Kuvendit opozita maqedonase është bërë simbol i destruktivitetit dhe sjelljes anti-shtetërore.

Le të shohim pse jemi në vendin e 111-të dhe luftojmë me disa shtete afrikane! Le ta shohim pse jemi shteti më i korruptuar në rajon dhe të presim përgjigje! Kuptohet se do t’i nxjerrim gjithë këta ministra para drejtësisë, para popullit – theksoi Vllado Misajllovski, VMRO DPMNE.

Me interpelancën e pasuksesshme për zv/kryeministrin, Dimitrov destruktiviteti, sjellja e papërgjegjshme e Mickoskit dhe VMRO DPMNE-së edhe një herë u mundën këtu në Kuvend. Epilogu i njëjtë i pret interpelancat e paralajmëruara për Zv/kryeministrin, Lupço Nikollovski dhe ministrin, Bojan Mariçiq – u shpreh Martin Kostovski, LSDM.

Anesa Salihu

 

LEXO EDHE:

Back to top button