Hyn në fuqi obligimi për pajisjet dimërore, shoferët në radhë për t’i vendosur gomat e dimrit
Hyn në fuqi obligimi për pajisjet dimërore, shoferët në radhë për t’i vendosur gomat e dimrit
Gazetar: Avni Tahiri
Për të ndërruar gomat e dimrit të duhet termin paraprak tek mekaniku. Kjo pasi pikërisht sot me hyrjen në fuqi të obligimit për përdorim të pajisjeve dimërorë për vozitësit në komunikacion, tek çdo mekanik është shtuar puna.
Xhevad Jakupi, sot ishte më i angazhuar se ditët e tjera por që mënyra e terminit i ka ndihmuar për të sistemuar punën. Për të ndërruar gomat e dimrit për një veturë i duhen vetëm 20 minuta.
“Nga sot fillon me ligj, më herët kanë ardhur tek-tuk por nga dita e sotme vijnë më shumë dhe kemi më shumë punë. Interesimi është i madh nga dita e sotme? Po, nga sot interesimi është shumë i madh, shumica kanë nga dy vetura në shtëpi, vijnë i ndërrojnë gomat dhe na duhen 20 minuta për të ndërruar katër goma. Nuk duhet të presin gjatë? Jo, pasi i kemi me terminë. Pra duhet edhe tek ju të bëjnë terminë? Po, më mirë me terminë pasi vjen e lënë çelësin dhe për 15 minuta është gati”, tha Xhevad Jakupi, mekanik.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se nga data 15 nëntor deri më 15 mars, në përputhje me dispozitat e ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor, automjetet pjesëmarrëse në komunikacion duhet të ketë domosdoshmërish pajisjet e përcaktuara dimërore.
“Ministria e Punëve te Brendshme apelon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë detyrimin ligjor për posedim të pajisjeve dimërore, në mënyrë që të mundësohet qarkullim i qetë dhe i sigurt në rrugë në kushte dimërore”, njoftojnë nga Ministria e Punëve te Brendshme.
Për mos respektimin e këtij detyrimi, Ministria e Punëve të Brendshme përkujton se parashikohen gjoba përkatëse. /Alsat.mk