I mituri që goditi për vdekje me makinë një grua përfundoi në paraburgim

I mituri që goditi për vdekje me makinë një grua përfundoi në paraburgim

Gazetar: Igor Stefanovski

16-vjeçari  i cili para dy ditëve goditi për vdekje një grua 47-vjeçare në bulevardin Nikolla Karev, vendimin e Gjykatës do ta presë në paraburgim, shkruan Alsat.

Nga Gjykata Penale për Alsat konfirmuan se kërkesa e Prokurorisë së Shkupit është pranuar.

“Shpejtësinë e mjetit nuk e ka përshtatur me kushtet e vetive dhe kushtet e rrugës dhe me dendësinë e trafikut. Për këtë arsye, kur ka arritur në kryqëzimin në Bit Pazar, nuk ka mundur të ndalojë veturën në kohë dhe ka goditur me pjesën e parme të djathtë të makinës një grua, e cila ka qenë duke kaluar rrugën jashtë vendkalimit të shënuar për këmbësorë”, thonw Prokuroria Publike.

Këtu çdo ditë kalohet rruga  megjithëse nuk ka vendkalim për këmbësorë. Djaloshi ka drejtuar mjetin pa leje dhe mund të ballafaqohet me vepër penale, Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion.

Për të njëjtën vepër me tre vjet u dënua 22 vjeçari Jordan Gjorgjiev, i cili pesë muaj më parë në udhëkryqin tek City Mall kishte goditur për vdekje 24 vjeçaren Viktorija Nikolova nga Radovishi. Ende pritet aktgjykimi për aksidentin e trafikut në afërsi të urës “Goce Dellçev”, i cili ndodhi në fillim ku humbi jetën një këmbësor 76-vjeçar.

Prokuroria në këtë rast nuk ka kërkuar paraburgim për shoferin. Prej aty vetëm shkurtë deklaruan se prokurori publik kompetent është duke vepruar sipas kallëzimit penal të MPB-së dhe po punon në mbledhjen e provave verbale dhe materiale me qëllim të vërtetimit të fakteve.

Qytetarët kërkojnë kontrolle më të shpeshta policore dhe dënime më të ashpra që tragjedi të tilla të mos përsëriten./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button