“I pushtetshmi”, Prokuroria kërkon gjykim për 13 persona, përfshirë deputetin Antonio Miloshoski


Sot, prokurorja Fatime Fetai në Gjykatën Penale paraqiti akuzën për rastin “I pushtetshmi”. Kërkohet gjykim për 13 persona, përfshirë deputetin e VMRO DPMNE-së, Antonio Miloshoski, babanë e tij dhe ish-kryetarin e Makedonski Brodit, Milosim Vojneski. Ata akuzohen për mashtrim, ndërsa Miloshoski përveç kësaj edhe për shpërdorim detyre. Përbërja e Komisionit të shpërbërë për lustrim i kryesuar nga Tome Axhiev prokuroria e ngarkon për shpërdorim detyre. Sipas PSP-së, Miloshoski dhe Vojneski kanë lobuar që këshilli i komunës së Makedonski Brodit të shet një ndërtesë në fshatin Izhishtë. Këshilltarët e kanë aprovuar atë, duke menduar se po shitet ish shtëpia kooperative, e jo ndërtesa e përdorur nga komuna e Plasnicës. Bëhet fjalë për një ndërtesë prej 157 metrash katrorë me një oborr prej 3.920 metrash katrorë, e cila u shit për 100 denarë për metër katror, në vend të 400 denarëve. Me këtë, arka e shtetit është dëmtuar për 30,000 euro, ndërsa arka lokale e Makedonski Brodit për 20,000 euro.

Prokuroria

“Këshilltarët e hutuar me fakte e rrejshme të dorëzuara për atë se cili objekt është lëndë e shitjes, njëzëri kanë marrë vendim për tjetërsimin e ndërtesës dhe në huti absolute i kanë mundësuar të akuzuarit të dytë të fillojë me procedurën e shitjes së objektit dhe oborrit. Më pas, i akuzuari i dytë, që të evitohet konkurrenca në ankand dhe të mos paraqitet ndonjë blerës tjetër i interesuar, nuk e ka publikuar shpalljen për shitje në Gazetë Zyrtare, kështu që si ofertues është paraqitur vetëm i akuzuari i parë, si i vetmi që e ka ditur ditën e ankandit dhe e ka blerë objektin, që ka qenë në pronësi të shtetit në vlerë prej 1.795.800,00 denarë, që është 670 denarë më shumë se çmimi fillestar i caktuar i ankandit.“

Edhe pse kryetari i atëhershëm i Pllasnicës, Ismail Jahoski reagoi për komunën e shitur, Milloshoski ka kryer presione që ndërtesa t’i mbetet të atit të tij. Paralelisht, ka porositur inspektim për kompaninë e Jahoskit “Pucko Petrol”. Më pas edhe lustrim për gjykatësin Dragi Bileski i cili ka konsideruar që e mbron Jahoskin. Bileski u shkarkua kurse vitin e kaluar Gjykata për të Drejtat e Njeriut urdhëroi që shteti ta heqë Bileskin nga lista e personave të lustruar. Pas sëmundjes së shkurtër, gjykatësi ndërroi jetë këtë vit.

 

Igor Stefanovski

 

 

 

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button