fbpx

Navalny, spitali i Berlinit gjen shenja helmimi

Paramedics load a stretcher into an ambulance that allegedly transported Russian opposition leader Alexei Navalny at Charite Mitte Hospital Complex where he will receive medical treatment in Berlin, Germany August 22, 2020. REUTERS/Christian Mang


Një ekzaminim mjekësor i kreut të opozitës ruse, Alexei Navalny në një klinikë të Berlinit gjeti shenja helmimi, njoftoi të hënën spitali Charite.

“Ekipi i mjekëve ekzaminoi me hollësi pacientin pas arritjes së tij. Gjetjet klinike flasin për helmim nga një lëndë që bën pjesë në grupin e substancave aktive të quajtur ‘frenues të kolinesterazës’”, tha spitali në një deklaratë.

Navalny, kundërshtar i njohur i presidentit rus Vladimir Putin, u sëmur rëndë të enjten pas asaj që aleatët e tij besojnë se ishte një helmim. Ai u dërgua të shtunën në Gjermani për trajtim me një avion ambulancë.

GJERMANIA: NAVALNY MUND TË KETË QENË OBJEKT SULMI

Qeveria gjermane thotë se disidenti rus Alexei Navalny ka mundësi të ketë qenë objekt i një sulmi me lëndë helmuese.

Duke folur në një konferencë të rregullt për shtyp të hënën, zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert tha se “me shumë gjasë” politikani i opozitës ruse është helmuar, duke shtuar se “meqenëse ekziston një mundësi e caktuar e një sulmi me lëndë helmuese”, mbrojtja personale e Navalny-t është e nevojshme.

Alexey Navalny, i cili të enjten ishte duke udhëtuar për në Moskë nga Siberia, u sëmur gjatë fluturimit dhe aeroplani bëri ulje urgjente në Omsk të Siberisë. Ndihmësi i tij tha se Navalny kishte pirë çaj në një kafene të aeroportit.

Përkrahësit e Navalny-t, një kritik i njohur i presidentit rus Vladimir Putin, besojnë se çaji ishte i helmuar.

Gruaja dhe një bashkëpunëtor i Navalny-t e vizituan atë në Spitalin Charite të Berlinit të dielën.

Yulia Navalnaya dhe ndihmësi nuk komentuan për gazetarët pasi hynë në spitalin kryesor të kryeqytetit gjerman për të parë Navalny-in. Ai është në gjendje kome artificiale dhe merr frymë me ndihmën e një respiratori.

Ishte zonja Navalnaya e cila nguli këmbë që bashkëshorti i saj 44 vjeçar, të dërgohej në Berlin për kurim. Pas mbërritjes së tij të shtunën, zëdhënësja e spitalit Manuela Zingl tha se ai do t’i nënshtrohej analizave të gjera diagnostikuese.

Të shtunën, autoritetet shëndetësore ruse, të cilat fillimisht nuk lejuan që Navalny të dërgohej në Gjermani, thanë se analizat nuk kishin treguar asnjë helm në trupin e tij.

Para vendimit të së premtes për të lejuar trajtimin në Gjermani, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov la të kuptohej se qeveria do të ndihmonte në lehtësimin e nisjes së tij dhe i uroi Navalny-t “shërim të shpejtë”.

Peskov tha se qeveria do të hetonte incidentin nëse raportet e toksikologjisë tregonin se Navalny ishte helmuar.

ÇËSHTJA TËRHEQ VËMENDJE NDËRKOMBËTARE

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti Francez Emmanuel Macron shprehën shqetësim javën e kaluar për gjendjen e Navalny-t.

Kandidati demokrat për president në SHBA Joe Biden komentoi gjithashtu, duke thënë se “fakti që Navalny ishte në komë pas helmimit” është “i papranueshëm”.

Ambasada e SHBA në Moskë tha se po e vëzhgonte gjendjen.

“Nëse është i vërtetë, helmimi i dyshuar i opozitarit rus Aleksey #Navalny përbën një moment të rëndë për Rusinë, dhe populli rus meriton t’i shohë të gjithë ata që janë përfshirë të vihen para përgjegjësisë,” tha zëdhënësja e ambasadës amerikane Rebecca Ross në Twitter.VOA

LEXO EDHE:

Back to top button