Inflacioni ndez përplasjen politike: LSDM flet për varfërim, Qeveria për sukses ekonomik
Gazetar: Angel Dimovski
Rritja e inflacionit, jeta e shtrenjtë dhe pagat më të ulëta në rajon kanë bërë që partia opozitare LDSM të akuzojë Qeverinë për politika të këqija ekonomike. Nga partia thonë se qytetarët mezi po ia dalin të lidhin fundin e muajit dhe se shumë familje kanë frigoriferë bosh. Ata pyesin se si është e mundur që shteti të jetë i treti në Evropë sipas disa treguesve ekonomikë, ndërsa qytetarët e tij të jenë ndër më të varfrit në kontinent.
“Në momentin kur Mickoski pohon se Maqedonia është ekonomia e tretë në Evropë, qytetarët kanë frigoriferë bosh, kemi pagat më të ulëta në rajon, pagën minimale më të ulët, ndërsa çmimet e produkteve bazë rriten çdo muaj. Si është e mundur që një vend të jetë ekonomia e tretë kur qytetarët e tij janë ndër më të varfrit në Evropë?” – Natasha Popoviq, anëtare e bordit ekzekutiv të LDSM-së.
Sipas autoriteteve, rritja e inflacionit është shkaktuar nga dy faktorë shërbimet e transportit dhe produktet e duhanit. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se për produktet e duhanit nuk planifikohen masa të reja, ndërsa për transportuesit janë duke u zhvilluar negociata.
“Sa i përket transportit, jemi duke biseduar me transportuesit. Pjesa më e madhe lidhet me transportin ajror për shkak të karburantit të shtrenjtë kerosinës, i cili është dy herë më i lartë në çmim. Kështu që aty mund të ndërhyjmë sërish në pjesën e taksave, por le të shohim çfarë do të ndodhë gjatë këtij muaji, pastaj do të marrim masa.” – Hristijan Mickoski.
Nga Ministria e Ekonomisë thonë se në këtë moment nuk ka nevojë për masa ndërhyrëse, por institucionet disponojnë mekanizma që mund të aktivizohen nëse inflacioni në periudhën e ardhshme shënon rritje më të theksuar.
“Ndër masat e mundshme janë ulja e shkallës së TVSH-së për disa produkte bazë ushqimore, masa shtesë për kufizimin e goditjeve të çmimeve te produktet e shportës bazë të konsumit, si dhe krijimi i pakove të targetuara për mbështetjen e kategorive të ndjeshme të qytetarëve.” – Ministria e Ekonomisë.
- ulja e shkallës së TVSH-së për disa produkte bazë ushqimore,
- kufizimi i goditjeve të çmimeve te produktet bazë,
- krijimi i pakove të targetuara për mbështetjen e kategorive të ndjeshme të qytetarëve.
Sipas të dhënave të publikuara dje nga Enti Shtetëror i Statistikës, kostot e jetesës në muajin maj janë rritur për 4,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritje të ndjeshme të çmimeve statistikanët kanë vërejtur te ushqimet dhe pijet joalkoolike me 4,7%, pijet alkoolike dhe duhani me 9,3%, si dhe transporti me 11%. Po ashtu, janë rritur edhe shpenzimet për aktivitete sportive dhe kulturore me 5,5%, ndërsa rritje më e theksuar është shënuar edhe te blerja e perimeve me rreth 7%, si dhe te shpenzimet për restorante dhe hotele me 5%. /Alsat.mk









