Gazetar: Adnan Qaili
Rënia e normës së inflacionit në muajin korrik u regjistrua në kuotën 8,4% në kohën kur u mat një rritje e kostos së jetesës në 4.9%. Nga Enti shtetëror i statistikave thuhet se kostoja e jetesës në korrik të këtij viti është rritur me 1% krahasuar me muajin qershor, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë u rritën me 1.6%. Sipas të dhënave të publikuara të hënën, rritje u shënua edhe në transportin ajror të pasagjerëve, shërbimet e akomodimit, shërbimet shtëpiake dhe të amvisërisë, shërbimet në sallonet e flokëve dhe qendrat e bukurisë. Rritjet e çmimeve nuk munguan as te karburanteve dhe te energjia elektrike.
“Rritje të kostos së jetesës është vërejtur te frutat e freskëta dhe të ftohta me 12,6%, buka dhe drithërat me 3,8%, djathi dhe gjiza me 1,8%, peshku dhe prodhimet e detit, si dhe qumështi me 0,9%; sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe produktet e ëmbëlsirave me 0.5%. Nga ana tjetër, rënie e kostos së jetesës është vërejtur te perimet e freskëta dhe të ftohta, përveç patateve dhe frutave të tjera me rrënjë me 4,8%, vaji dhe yndyra me 3,6%, pijet alkoolike me 0,9%,” thanë nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Qytetarët thonë se nuk po e ndjejnë uljen e inflacionit. Ata ankohen për çmime të larta të produkteve ushqimore dhe higjienike. Të ardhurat e tyre janë shumë të plogështa konform kostove.
“Gjitha gjërat që janë produkte! Për shembull? Gjërat ushqimore, veshmbathje, gjithçka që ka nevojë njeriu për jetesë, shtrenjtë janë. Ato janë vetëm rrena e pallavra, realiteti është ndryshe! Paratë shkojnë diku tjetër, populli mbetet fukara,” u shpreh një qytetar.
“Shumë janë shtrenjtë! Ne me ndihmë sociale 100 euro marrim është e papërballueshme. Pagat janë të ulëta, çmimet e larta, gjithçka është shtrenjtuar. Shumë është, tepër. Çfarë të bëjmë? Të hamë apo të paguajmë rrymën, ujin apo të mbijetojmë!” – tha një qytetare.
“Mendoj se nuk janë lirë, duke pasur parasysh se standardin tonë janë shtrenjtë. Do të mund të ishin më lirë, varet për cilat produkte bëhet fjalë. Akoma nuk kam bërë pazar për ta ndjerë! Nga qytetarë deri te pushtetarët ka një mesazh që të zbresin pak në tokë, të rrisin pagat dhe standardin e jetesës, normalisht,” u shpreh një qytetar tjetër.
Nga Qeveria thonë se pritet që rritja e pagës mesatare të vazhdojë me ritme dyshifrore, dukshëm mbi rritjen e kostos së jetesës edhe një rritje reale të fuqisë blerëse të qytetarëve. Ekzekutivi parashikon që inflacioni mesatar për vitin 2023 të jetë 8,9%. Nga ana tjetër, Qeveria zotohet se i kushton vëmendje krijimit të një klime pozitive biznesi, ku kompanitë do të motivohen të paguajnë paga konkurruese, rritja vjetore e të cilave do të jetë shumë më e lartë se rritja e kostos së jetesës, thuhet në kumtesën e Qeverisë. /alsat.mk








