Gazetare: Fatlume Dervishi
Aleanca për Shqiptarët nuk ka biseduar aspak brenda partisë për pozitën e saj në qeveri, në rast se nuk miratohen ndryshimet kushtetuese. Kreu i kësaj partie Arben Taravari, nga një aktivitet publik në Gostivar, deklaroi se nëse procesi dështon, radhën e kanë zgjedhjet e parakohshme.
“Unë kam shpresa se ende ka gjasa të realizohen ndryshimet kushtetuese. Në qoftë se nuk realizohen atëherë kemi moment të ri dhe ai moment duhet të shqyrtohet në organet partiake dhe të dalim me një qëndrim. Besoj se nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese, gjithsesi do të jemi në situatë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, besoj se ato zgjedhje parlamentare do të jenë së bashku me zgjedhjet presidenciale. Ashtu sikurse mendoj se nuk ja vlen në nëntor ose dhjetor të mbahen zgjedhje, njësoj mendoj se s’ja vlen që zgjedhjet e rregullta të mbahen në gusht ose shtator,” tha Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Shpresa që ndryshimet kushtetuese do të miratohen ka edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski. Në intervistën e një dite më parë për Agjencinë e lajmeve MIA, Kovaçevski ftoi për unitet mes partive parlamentare.
“Ne i vendosim afatet, kjo është shumë e rëndësishme të dihet. Po, skriningu do të përfundojë afër fundit të vitit dhe më e rëndësishmja me sukses. Por nëse do të ndodhë vendimi për ndryshime kushtetuese, pra vazhdimi i rrugës evropiane, varet vetëm nga ne. Përgjegjësia është para të gjithë aktorëve shoqërorë, para të gjitha partive serioze parlamentare, para të gjithë deputetëve. Unë personalisht besoj se deputetët nuk do ta humbin këtë mundësi historike. Nëse dikush është i ndershëm para qytetarëve, do të bëjë gjithçka për të siguruar të ardhmen evropiane të vendit, për brezat e ardhshëm. Dhe anasjelltas, nëse nuk është i sinqertë, do të kërkojë justifikime, do të përdorë përkufizime, do të llogarisë,” deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
VMRO-DPMNE-ja vlerëson se mundësia për unitet mes partive politike ka përfunduar. Sipas tyre, ndryshimet kushtetuese nuk do të realizohen.
“Unitetin nacional me arrogancën dhe injorancën e tij Kovaçevski e kishte mundësinë dhe nuk e bëri para saktësisht një viti. Edhe atëherë, edhe tani porosisim se ndryshim të kushtetutës me urdhër bullgar nuk do të ketë. Edhe atëherë edhe tani themi se nevojiten garanca institucionale për identitetin shumëshekullor të popullit maqedonas por edhe garanca që procesi i negociatave nuk do të shndërrohet në një proces me kushtëzime të reja deri në asimilimin e plotë të Maqedonisë dhe të popullit maqedonas,” tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Seanca parlamentare për shqyrtimin e nismës për ndryshim të Kushtetutës është caktuar për më 18 gusht. Deputetët duhet të votojnë për nevojën e ndryshimeve, për të cilën po ashtu nevojiten 80 vota. /alsat.mk








