Gazetare: Fatlume Derivish
Deri në fund të javës, LSDM-ja thotë se do të ketë gati një version pune të Rezolutës me të cilën kërkon konsensus nacional për çështjet identitare në kornizat e integrimit, shkruan Alsat.
Ai thotë se dokumenti do t’u tregohet të gjithë aktorëve në vend por nuk e përjashton mundësinë që të kërkohet edhe mendimi i ekspertëve të BE-së në çështjet e identitetit dhe historisë.
“Duhet të gjithë aktorët politik të ulen bashkë në tavolinë dhe të përcaktojmë se çfarë është ajo që zëshëm dhe qartë në një dokument duhet ta formalizojmë që të dimë se si do të vazhdojmë përpara dhe t’i njoftojmë qytetarët, t’i dinë përfitimet nga anëtarësimi, t’i theksojmë rreziqet, të tregojmë prej çfarë kemi frikë dhe çfarë nuk duhet të pranojmë”, tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
Filipçe mohon që nisma e re por që është kërkesë e vjetër, të ketë lidhje me zgjedhjet që po afrohen.
Kryeministri Mickoski tha se është i gatshëm të shohë propozimin e opozitës.
“Ta shohim dokumentin të cilin do ta dorëzojnë. Shpresoj se do të lejojnë që edhe VMRO-DPMNE-ja dhe grupi i deputetëve të koalicionit të japë mendimin e tij kështu që ta shohim. Të shohim se çfarë risie do të ofrojnë edhe pse më duhet të them se në të kaluarën deklaratat e LSDM-së në fund përfundojnë si letër e thjeshtë dhe aspak nuk respektohen. Kemi pasur shumë deklarata të tilla në të kaluarën por për fat të keq, LSDM-ja, të gjithë atë që e ka deklaruar nuk e ka respektuar kur kishte mundësi të brishtë të drejtojë qeverinë”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Pushteti vazhdon të akuzojë LSDM-ja se gjatë kohës kur ka qenë në pushtet nuk ka mbrojtur interesat nacionale në raport me integrimin. / Alsat.mk








