Integrimi / Mickoski: Fokusi ynë janë reformat, ndryshimet kushtetuese nuk janë reforma

Gazetare: Fatlume Dervishi 

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se në vend që të fokusohet te ndryshimet kushtetuese, qeveria e tij fokusohet te çështjet më thelbësore, si reformat. Opozitën që kërkon ndryshime kushtetuese, ai e kritikon për gjunjëzim te pala bullgare.

“Të gjithë jemi optimistë se nga 10 mund të zbatojmë 9 e gjysmë dhe mundet edhe 10. Një ose dy hapa mbeten nga pjesëmarrja e opozitës, njëri prej tyre është Kodi zgjedhor dhe shpresojmë se atje do të mbisundojë logjika dhe do të kthehen në grupin e punës dhe bashkë do ta miratojmë këtë ligj reformues. Reformat nuk janë vetëm ndryshimi i Kushtetutës. Unë e kuptoj këtë “mish të egër” të cilët për momentin janë pjesë e udhëheqësisë së LSDM-së sepse më lehtë e kanë të gjunjëzohen sesa të punojnë por reformat nuk janë vetëm bullgarët në Kushtetutë por ka edhe gjëra më thelbësore që duhet t’i përfundojmë. E ne jemi të fokusuar në gjërat thelbësore”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

LSDM-ja kërkon ndryshim të Kushtetutës dhe reforma tani. Ata thonë se pakicat nuk e kërcënojnë identitetin maqedonas, por e forcojnë atë.

“Çështja e pakicave nuk është çështje bullgare. Është çështje evropiane. Ne po negociojmë me Bashkimin Evropian, jo me Bullgarinë për anëtarësim në BE. Duke përfshirë minoritetet në Kushtetutë, forcohet uniteti dhe kohezioni i të gjithë shoqërisë. Kjo hedh poshtë narrativën bullgare se nuk ka maqedonas. Në Maqedoni, bullgarët janë minoritete, dhe në Bullgari, maqedonasit. Një tjetër konfirmim i identitetit kombëtar. Organizata kriminale VMRO po e frikëson qëllimisht publikun me “kërcënimin bullgar” në mënyrë që të bllokojë të ardhmen evropiane të Maqedonisë dhe të mbrojë rrjetin e saj kriminal”, thonë nga LSDM-ja.

Përplasjet vijnë në kohën kur vendit i mbeten edhe pak javë në dispozion për plotësimin e disa prej kërkesave të Axhendës së reformave që afat kanë qershorin.

LEXO EDHE:

Back to top button