Marta Kos viziton Kosovën, takime me krerët e shtetit për integrimin në BE

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian Marta Kos, i ka bërë thirrje spektrit politik në Kosovë të gjejë gjuhë të përbashkët për t’i dhënë fund ngërçit të gjatë institucional dhe të formojë institucione të qëndrueshme, në mënyrë që vendi të ecë përpara drejt bllokut evropian. Kos, në vizitën e saj të parë në Kosovë u prit nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Nuk mund të ketë siguri në Evropë, pa Kosovën. Këtë e tha komisionarja për zgjerim e BE-së Marta Kos në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin. Ajo tha se Kosova, duhet të ketë sa më parë institucione të qëndrueshme dhe funksionale.

“Ekzistojnë perspektiva reale që në vitet e ardhshme do të kemi shtete të reja anëtare. Ky proces i anëtarësimit është shtyrë përpara edhe për shkak të aspektit të sigurisë. Dhe kur kemi diskutuar për rolin e Kosovës në këtë, nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën. Kosova është pjesë integrale e një perspektive më të gjerë, pse zgjerimi sot është shumë më tepër sesa thjesht zgjerim”, deklaroi Marta Kos, Komisionare për Zgjerim.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar avancim të Kosovën në procesin integrues dhe atë të vendit kandidat. Ai tha se nuk po kërkojnë as rrugë të shkurta e as derë të pasme, por vetëm proces meritor.

“Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të BE-së. Vakumi që lë BE po synohet që të mbushet nga akterët të tjerë dashakëqij të cilët minojnë vlerat e BE-së dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët. Prandaj, është përgjegjësia e të gjithë neve që Kosova të avancoj në procesin e integrimit”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës..

Kurti ndërkohë theksoi nevojën që përgjëgjësitë e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit të dalin para drejtësisë, pasi siç tha ai, pa llogaridhënie rreziku ndaj sigurisë mbetet i lartë. Sa i takon anëtarësimit të shtetit serb në BE, Kos deklaroi se moszotimi i saj sa i përket sulmit terrorist në Banjskë nuk është mirë të kalojë si i tillë.

“Sa i përket Serbisë dhe anashkalimet që janë bërë në të kaluarën është një pjesë e rëndësishme në mënyrën se si Serbia do ta trasojë rrugën e vet, do të thotë përkushtimi i saj për Banjskën dhe moszotimi i tyre nuk është mirë që të kaloj i tillë”, theksoi Marta Kos, Komisionare për Zgjerim e BE-së.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat. Ndër pengesat kryesore për përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së është edhe mosnjohja e pavarësisë së saj nga katër vendet anëtare, Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja./Alsat.

LEXO EDHE:

Back to top button