Iran–SHBA: Palët pranë një marrëveshjeje, rajoni pret përparim në diplomaci
Mes përpjekjeve intensive diplomatike të ndërmjetësuara nga Pakistani, zyrtarë në Uashington, Teheran dhe Islamabad thanë se negociatat për një Memorandum paraprak Mirëkuptimi kishin shënuar përparim të rëndësishëm.
Marrëveshja e propozuar do të përqendrohej në masa të menjëhershme për uljen e tensioneve, përfshirë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përfundimin e bllokadës detare amerikane të porteve iraniane dhe sigurimin e një zotimi nga Teherani se nuk do të zhvillojë apo sigurojë armë bërthamore. Në një zhvillim të ri, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha se një marrëveshje paqeje mes Uashingtonit dhe Teheranit pritet të finalizohet brenda 24 orëve të ardhshme.
Sharif, i cili ka luajtur rol kyç si ndërmjetës në negociata, përsëriti deklaratën e tij të 12 qershorit se palët janë më afër se kurrë një marrëveshjeje. Edhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë kanë sinjalizuar gjatë 24 orëve të fundit se përparimi diplomatik ka qenë i shpejtë.
“Jemi më afër një marrëveshjeje paqeje se kurrë më parë. Me finalizimin që pritet brenda 24 orëve të ardhshme, Pakistani po përgatitet për nënshkrimin elektronik të marrëveshjes menjëherë pas kësaj, i cili do të pasohet nga bisedime në nivel teknik javën e ardhshme. Jemi të bindur se kjo marrëveshje historike e paqes do të krijojë një bazë të fortë për një paqe të qëndrueshme”, shtoi ai. shkroi Sharif në rrjetin social X.
Nëse nënshkruhet, Memorandumi i Mirëkuptimit do të hapte një periudhë 60-ditore të negociatave teknike që synojnë adresimin e çështjeve më të gjera.
Ministri i Jashtëm Iranian tha se bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara do të zhvillohen vetëm në një fazë të mëvonshme. Ai tha se marrëveshja e përkohshme do të përfshinte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimin e konflikteve në fronte të shumta, duke shtuar se një memorandum mirëkuptimi ende nuk ishte nënshkruar dhe mund të ndryshojë nga momenti në moment.
“Pozicioni ynë është i qartë: nëse do t’i dorëzoheshim forcës dhe presionit, do të ishim dorëzuar shumë kohë më parë. Nëse kërcënimet për sulm ndaj infrastrukturës ose kërcënime të tjera do të na bënin të tërhiqemi, ne do të tërhiqeshim shumë kohë më parë. Por kjo nuk është kështu; palës tjetër iu dërguan mesazhe shumë të qarta se kërcënimet kanë një efekt të kundërt. Nëse dëshironi të lëvizni drejt një presioni, duhet të ndryshoni mirëkuptimin pasi ne jemi gati”, tha Abas Aragçi, Ministër i Jashtëm i Iranit.
Zyrtarët evropianë u kanë bërë thirrje gjithashtu të dyja palëve që të ndërtojnë mbi këtë momentum. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, pas një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, u bëri thirrje të dyja palëve të vazhdojnë diplomacinë, duke e përshkruar situatën aktuale si të paqëndrueshme.
– Qasje me faza për uljen e tensioneve
Analistët thonë se përparimi i dukshëm pasqyron një ndryshim në strategjinë negociuese të Uashingtonit, ku zyrtarët po i ndajnë shqetësimet e menjëhershme të sigurisë nga mosmarrëveshjet afatgjata.
Azeem Ibrahim, drejtor i iniciativave të posaçme në Institutin për Strategji dhe Politikë New Lines me seli në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë se kjo renditje e çështjeve ka rritur mundësitë për një marrëveshje në një afat të afërt.
“Ajo që duket domethënëse është se administrata Trump në mënyrë efektive i ka ndarë negociatat në pista të veçanta, më të menaxhueshme, në vend se të përpiqet të zgjidhë çdo çështje njëkohësisht”, tha Ibrahim.
“Prioriteti i menjëhershëm duket se është sigurimi i rihapjes së Ngushticës së Hormuzit dhe rivendosja e lirisë së lundrimit, gjë që do të lehtësonte shpejt presionin mbi tregjet globale të energjisë dhe do të zvogëlonte rrezikun e një tronditjeje më të gjerë ekonomike”, shtoi ai./Alsat.mk.








