Tensione në Rrjoll të Velipojës, vijojnë protestat kundër projektit, banorët kundërshtojnë investimin

Një protestë u mbajt sot në Rrjoll të Velipojës nga banorët që kanë pretendime për pronën ku pritet të ndërtohet një resort turistik ndërsa situata është tensionuar pasi ata janë përplasur me policinë ndërsa kanë hequr një pjesë të rrethimit me kangjella. Policia ka ndërhyrë për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Ndërkohë prej dy javësh në Tiranë, Vlorë dhe qytete të tjera po zhvillohen protesta kundër punimeve për një resort në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, mes shqetësimeve për mjedisin dhe pronësinë e tokës. Protestuesit kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec dhe dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Projekti është lidhur publikisht me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Por kryeministri Rama tha se nuk e ka ndërmend të heq dorë nga projekti në Zvërnec. Duke folur për protestën, Rama madje tha se kosovarët dhe tetovarët po hedhin gurë në protestën në Tiranë

“Unë jam shumë i qartë që tanimë një protestë e nisur për natyrën është kthyer në protestë me natyrë politike, absolutisht legjitime për këdo që do të ndryshojë Shqipërinë sipas qasjes së tij dhe krejt normale, por asgjë në jonormale edhe në faktin se në Vlorë e duan projektin dhe hallin e kanë se po u dëmtohet sezoni nga anulimet e rezervimeve për shkak të protestës, forca të ndryshme hedhin në bulevard gurët, deri edhe nga Kosova dhe Tetova dhe fshehin dorën, njësoj si opozita e këtushme që derdh në bulevard prurjet e kënetës së vet”, deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button