Ish-ambasadori Halili: Nuk ka garanci të qarta nga BE për reformat kushtetuese
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Ish-ambasadori Muhamed Halili vlerëson se kryeministri Hristijan Mickoski ka arsye të mbajë qëndrimin e tij lidhur me ndryshimet kushtetuese. Sipas Halilit, ekziston pasiguri nëse kërkesa për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë është kusht real për avancimin e procesit eurointegrues apo vetëm një pengesë shtesë. Ai theksoi se mungesa e besimit ndaj premtimeve ndërkombëtare buron nga përvojat e mëparshme të vendit, duke shtuar se qytetarëve nuk mund t’u kërkohen vazhdimisht kompromise pa garanci të qarta dhe përfitime konkrete nga pala tjetër.
“Unë personalisht konsideroj se ai ka të drejtë, për arsye se nuk jam shumë i sigurt BE-ja a e ka pretekst ndryshimin e kushtetutës apo e ka një kriter i cili është real i cili duhet të bëhet patjetër. Nëse e ka pretekst se duhet ta përmbushni dhe pala tjetër ka qëndrim të rrept se nuk e bëjmë këtë për arsye se nuk kemi besim se njëherë na mashtruat me premtimin për anëtarësim në NATO edhe tash poqëse edhe një herë i detyrojmë qytetarët të dalin në referendum ose ne të bëjmë lëshime të atilla e ju nuk na kundërpërgjigjeni me oferta reale dhe benefite reale, atëherë kot i bëjmë këto ndryshime”, deklaroi Muhamed Halili, ish ambasador.
Halili thotë se shqiptarët nuk duhet ta shohin me entuziazëm të tepruar përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, pasi kjo mund të hapë debate të reja për karakterin e shtetit. Ai rikujton se edhe gjatë negocimit të Marrëveshjes së Ohrit ishte arritur pajtim që Maqedonia të ndërtohej si shtet i qytetarëve të barabartë, por më vonë, sipas tij, u shfaqën kërkesa për ta ndryshuar këtë koncept në favor të një modeli ku një etni do të kishte rolin dominues.
“Pala maqedonase që e negocioi MO-në, edhepse e pranoi propozimin e tyre të krijohet një shtet qytetar më vonë e kushtëzoi kryetari i Kuvendit se poqëse nuk bëhet dallim mes kombit bartës dhe të tjerëve un nuk e vë në rend dite. Ndërhyri komuniteti ndërkombëtar edhe forcat tjera politike. Ne si PPD nuk e pranuam fare, mirëpo presioni i madh nga gjitha anët krijua që atë preambulë ta zëvendësojmë. A ishte i pranueshëm ky model edhe nga përfaqësuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare në atë kohë? Po, pikërisht ata këmbëngulnin në atë ata sugjeronin. Ne i kushtëzuam ata që të dalin me një deklaratë në opinion dhe të thonë se ne e përkrahim këtë zgjidhje dhe është e vërtet deklarata mund të gjendet në mediumet e atëhershme ku ata dolën edhe e përkrahën këtë” se duhet sipas sugjerimeve të ndërkombëtarëve në të krijojmë një shtet i cili për bazament do ta ketë një etnikum”, tha ish ambasadori Muhamed Halili.
Duke folur për kërkesën e studentëve shqiptarë për provimin e jurisprudencës, Halili tha se atyre u takon që provimin ta japin në gjuhën shqipe pasi një gjë të tillë ua garanton ligji./Alsat.mk.








