Irani dhe Omani drejt një marrëveshjeje për ngushticën e Hormuzit, pa rifilluar dialogun me SHBA-të

Irani dhe Omani po diskutojnë krijimin e një korridori të përkohshëm detar në ngushticën strategjike të Hormuzit, me synim rikthimin e lëvizjes së anijeve tregtare, ndërsa Teherani ka bërë të qartë se nuk ka rinisur ende bisedimet me Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se negociatat me Omanin kanë vijuar për rreth një javë dhe kanë në fokus një rrugë të re kalimi për anijet tregtare në një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë.

“Po diskutojmë një korridor që do të ketë një rrugë vajtje-ardhje dhe jo disa rrugë të ndara. Ky korridor do të përdoret përkohësisht deri në marrjen e një vendimi për një rrugë të përhershme”, tha Baghaei.

Sipas tij, marrëveshja po shqyrtohet vetëm mes Iranit dhe Omanit dhe nuk përfshin Shtetet e Bashkuara. Ai hodhi poshtë gjithashtu deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte thënë se bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit mund të rinisnin.

Irani kërkon të ketë rol kryesor në menaxhimin e ngushticës së Hormuzit, duke pretenduar sovranitet mbi këtë zonë dhe duke kërkuar të përfshihet në përcaktimin e rrugëve të kalimit, si dhe në ofrimin e shërbimeve detare për anijet.

Një nga propozimet në tryezë është krijimi i një kompanie të përbashkët iraniano-omanite që do të ofronte shërbime për transportin detar me kosto më të ulëta sesa kompanitë tradicionale të sigurimit.

Çështja e ngushticës së Hormuzit është kthyer në një pikë kyçe të tensioneve mes Iranit dhe Perëndimit. Teherani ka kundërshtuar planet për ndarjen e trafikut detar në disa korridore dhe ka refuzuar që vende të tjera të ndërhyjnë në pastrimin e rrugëve nga minat.

Nga ana tjetër, zyrtarët iranianë kanë akuzuar SHBA-në se ka tentuar të hapë një rrugë jugore përmes ujërave të Omanit, duke e konsideruar këtë një shkelje të marrëveshjeve të mëparshme.

Ndërkohë, Arabia Saudite ka luajtur një rol diplomatik në përpjekjet për uljen e tensioneve. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kishte hequr dorë nga një sulm i madh ndaj Iranit pas një telefonate me princin e kurorës saudite Mohammed bin Salman, i cili i kërkoi të ndiqte rrugën e diplomacisë.

Megjithatë, situata mbetet e brishtë. Teherani paralajmëron se pa një ndryshim të qëndrimit amerikan, nuk do të ketë përmirësim të ndjeshëm në sigurinë e trafikut detar në ngushticën e Hormuzit, një prej pikave më të rëndësishme për transportin global të energjisë.

LEXO EDHE:

Back to top button