Ish presidentët injorojnë eventet shtetërore

Ish presidentët injorojnë eventet shtetërore

Gazetare: Fatlume Dervishi

Dy ish presidentët Branko Cërvenkovski dhe Gjorge Ivanov vazhdojnë të mos jenë prezent në asnjë ceremoni, pritje zyrtare, event shtetëror ose të ngjashme, edhe kur janë të ftuar. Ata injoruan ftesën e Kuvendit gjatë vizitës së parë pas 23 vitesh të Presidentit italian Serxho Matarella, ditë më parë, siç kishin injoruar javë më parë edhe ftesën për fjalimin e shefes së Komisionit Evropian Ursula Fon Der Lajen, në Kuvend, pak para marrjes së vendimit për miratimin e kornizës negociuese me BE-në. E deri sa ish shefat e shtetit nuk janë pjesë e këtyre zhvillimeve, ata shfrytëzojnë benefitet pas përfundimit të mandatit, të cilat ua mundëson ligji; vetura zyrtare, sigurim personal, pagesa mujore dhe zyra. Profesori Qashif Bakiu vlerëson se kjo është kryesisht për shkak të dallimeve politike.

“Detyra e tyre kryesore të cilën ata nuk e bëjnë është promovimi i politikave pozitive, ndërtimi apo kultivimi i marrëdhënieve me vendet partnere, duhet të jenë aktiv në jetën politike, në promovimin e vendit, gjë të cilën deri tani nuk e kanë bërë dhe mendoj se do të vazhdojnë të mos ta bëjnë. Duhet marrë parasysh fakti se ne deri më tani kemi pasur presidentë të cilët kryesisht vinë nga partitë politike dhe mendësia e funksionimit partiak vazhdon edhe në periudhën e mandatit por edhe pas periudhës së mandatit”, tha Qashif Bakiu, profesor, universitar.

Bakiu mendon se të dy ish presidentët vazhdojnë të jenë të tërhequr me bindje se një ditë do të kthehen sërish në politikë.

Presidenti në vend është komandant i forcave të armatosura por kompetencat e tij janë më shumë ceremoniale. Për dallim prej disa vendeve fqinje ku Presidenti zgjidhet në Kuvend nga partitë politike, në vend Presidenti zgjidhet me zgjedhje të drejtpërdrejta, çdo pesë vjet, proces i cili i kushton vendit miliona euro. Sipas profesorit Bakiu, kjo mbetet metoda më demokratike.

“Secili sistem ka të mirat dhe të këqijat e tij. Mënyra aktuale e zgjedhjes është pozitive sepse qytetari zgjedh me vullnetin e tij të drejtpërdrejtë. Mënyra zgjedhjes në parlament do të na servojë fytyra edhe më politike, respektivisht të pazareve mes partive politike. Parë nga vështrimi i demokracisë, kjo formë e zgjedhjes është më e mirë”, shtoi ai.

Branko Cërvenkovski, ish kryetar i LSDM-së, ka qenë president për një mandat, nga viti 2004 deri në vitin 2009. Gjorge Ivanov ka qenë President për dy mandate nga 2009 deri në 2019 dhe vinte nga VMRO-DPMNE-ja./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button