Enti Shtetëror i Revizionit në korrik të vitit 2020 kishte përgatitur dy raporte për punën e ish Prokurorisë Speciale Publike.
Njëri prej tyre mbi pagat dhe shtesat e pagave është publik, ndërsa raporti tjetër është i klasifikuar edhe i është dorëzuar Prokurorisë Publike.
Në raportin e parë është konstatuar se: “mënyra se si është përcaktuar lartësia e shtesave në vitin 2015, shuma e paguar ka kaluar shumën e paraparë për rrogat e prokurorëve (për person).
Për këto shtesa nuk janë paguar kontributet për sigurim social por kanë statusin e bonusit për të cilët PSP ka paguar vetëm tatim personal në vlerë prej 243 mijë denarë”, thuhet në gjetjet e Entit Shtetëror të Revizionit.
Ndaj gjetjeve ish prokurorja speciale, Katica Janeva kishte reaguar duke potencuar vërejtjet. Në disa përgjigje ajo kishte kundërshtuar kontrollet e revizionit pa prezencën e saj në PSP, ndërsa i kishte akuzuar edhe për punë me porosi nga Prokuroria e Krimit të Organizuar.
“Pa më paralajmëruar se çfarë po ndodhë, u dërgova me forcë në hapësirat e Revizionit ku kishte edhe prokurorë të krimit të organizuar. Jam në arrest shtëpie dhe çdo prezencë e imja pa avokat dhe pa lejen e gjyqit është në kundërshtim me ligjin. Në çfarë cilësie dhe mbi bazën e cilave dispozita ligjore në veprimet e Revizionit kishte prezent edhe prokurorë. Kush e lejoi këtë”, ishin asokohe vërejtjet e Katica Janevas.
Veprimet e Revizionit kishin ardhur si rezultat i denoncimeve se prokurorët special përveç rrogave marramendëse kishin siguruar edhe bonuese apo shtesa me vlera qindra mijë euro. Në listë kishte edhe hetues, policë, juristë, këshilltarë dhe shumë figura të tjera.
Në përgatitjen e raportit dhe nënshkrimin e tij kishin marrë pjesë edhe Cvete Ristovska, anëtare aktuale e Anti-korrupsionit e cila po përballet me akuzat për mos deklarim të pasurisë dhe bizneseve të fëmijeve dhe ish kryetarja e Anti-korrupsionit, Tatjana Dimitrovksa aktualisht e akuzuar për dhënie të sekretit shtetëror. / Alsat.mk








