Ish punonjësit e Klinikës së Fëmijëve ende pa përgjigje për pagat dhe rikthimin në punë
Gazetare: Melihate Rustemi
Pavarësisht protestës para Ministrisë së Financave, ish punonjësit e Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve vazhdojnë të kërkojnë rikthimin me vendim në vendet e tyre të punës dhe pagesën e pagave të mbetura. Ata paralajmërojnë se mungesa e kuadrit po e vështirëson funksionimin e klinikës, ndërsa shumë prej punonjësve aktualë janë pranë pensionimit. Ish punonjësi Sedat Bushi vlerëson se largimi i rreth 50 punonjësve ka lënë boshllëk të madh në funksionimin e institucionit. Sipas tij, pacientët do të vazhdojnë të marrin shërbime, por me ngarkesë më të madhe për personelin e mbetur.
“Për një ose dy vjet aty ka shumë që do të dalin në pension, pastaj çka do të bëhet aty..shpresojmë që do të rregullohet që edhe ne të kthehemi atje dhe të jetë gjendja më e mirë. Fëmijët do e marrin shërbimin patjetër sepse ai është spital por sikur të ishim ne si personel, të gjithë atje sigurisht që do e marrin më shpejt. Sepse, me një motër nuk mundet i gjithë spitali, me një administrator 7 ose 8 ambulanta nuk mund t’i mbulojë, ashtu është sistemi. Një administrator nuk mund të punoj për 7 administrator që për momentin duhet të jenë atje”, theksoi Sedat Bushi, ish i punësuar në Klinikën e Fëmijëve.
Ish punonjësja Flora Gashi ankohet se mungesa e sigurimit shëndetësor i ka shkaktuar probleme të mëdha për marrjen e terapisë për fibrozë cistike me të cilën përballet tashmë disa vite.
“Duhet edhe me cek se ne në shëndetësi punojmë ndërsa sigurim shëndetësor nuk kemi që është pjesa kryesore. Si mundet, e punësuar në shëndetësi pa sigurim shëndetësor. Dua ta cek sepse unë kam edhe terapinë që dua ta marr çdo muaj, ato blihen me para, kam ushqimin shumë të rëndë dhe me shumë kalori, edhe ajo kushton edhe normal që kjo është shumë e vështirë”, tha Flora Gashi, ish e punësuar në Klinikën e Fëmijëve
Më 5 qershor, rreth 50 punonjës me kontratë në vepër protestuan para Ministrisë së Financave, pasi për pesë muaj nuk kishin marrë paga, ndërsa kontratat e tyre nuk u vazhduan. Pas protestës, përfaqësuesit e tyre u pritën në takim nga zyrtarë të ministrisë së Financave, të cilët premtuan se procedura do të rishikohet nga fillimi për të identifikuar se ku ka ngecur procesi. Nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve kanë paralajmëruar më herët se përballen me mungesë të stafit, pasi një pjesë e punonjësve janë afër pensionimit. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka premtuar zgjidhje për problemin kadrovik, por pa garantuar rikthimin e të gjithë të larguarve në vendet e tyre të mëparshme të punës.









