Italia kërkon që kuzhina e saj të shpallet trashëgimi kulturore jomateriale nga UNESCO

Italia ka nisur një iniciativë që kuzhina e saj të shpallet trashëgimi kulturore jomateriale nga UNESCO, duke theksuar se dreka e përbashkët e së dielës është shumë më tepër sesa një vakt, është një ritual familjar, një vlerë shoqërore dhe pjesë e identitetit kombëtar që bashkon brezat dhe komunitetet.

Qeveria italiane dhe Shoqata Kombëtare e Bashkive Italiane (ANCI – Associazione Nazionale dei Comuni Italiani) kanë nisur një iniciativë për të përfshirë kuzhinën italiane në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s. Italia tashmë ka 61 vende të mbrojtura si Trashëgimi Botërore dhe 19 vende të trashëgimisë kulturore jomateriale.

Përkufizimi i zakonshëm i kuzhinës është një mënyrë e përgatitjes së ushqimit karakteristik për një vend ose rajon të caktuar. Por për italianët, kuzhina është shumë më tepër se kaq, është një ritual familjar, një akt bashkimi që meriton mbrojtje.

Kjo është arsyeja pse Ministria e Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pylltarisë, Ministria e Kulturës dhe ANCI paraqitën së bashku kandidaturën e kuzhinës italiane për përfshirje në Listën e Trashëgimisë Jomateriale të UNESCO-s.

Lajmi u njoftua të dielën në të gjithë Italinë, por edhe në ambasadat anembanë botës, si pjesë e një eventi të quajtur “Dreka e së Dielës – Italianët në Tavolinë”, gjatë të cilit mijëra njerëz shijuan gatime tradicionale italiane.

Ato mbrojnë jo vetëm recetën, por të gjithë ritualin.

“Ne nuk po nominojmë vetëm një mënyrë gatimi, megjithëse kuzhinat rajonale të Italisë mund të jenë pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s në të drejtën e tyre, por edhe një ritual”, tha Ministri i Bujqësisë, Francesco Lollobrigida.

“Është një ritual që fillon me përzgjedhjen e përbërësve, vazhdon në kuzhinë dhe përfundon në tryezë, ku ende flasim për atë që hamë. Kjo është kuzhina italiane – njohuri të transmetuara brez pas brezi, gëzimi i mbledhjes dhe ruajtjes së lidhjeve familjare dhe miqësore. Dreka e së dielës është shprehja më e lartë e asaj kulture që e gjithë bota e ka zili”, tha ministri.

Meloni: Kuzhina italiane vlen 250 miliardë euro

Kryeministrja Giorgia Meloni tha se dreka e së dielës nuk është vetëm një traditë, por edhe një pjesë kyçe e ekonomisë italiane.

“Për mua, dreka e së dielës ishte kohë e kaluar me gjyshërit e mi. Më kujtohet edhe pastorella (biskota me qumësht, përkth.), veçanërisht diplomatico (një lloj torte, përkth.)”, tha kryeministri gjatë një paraqitjeje në emisionin “Domenica In” në televizionin italian RAI.

“Kuzhina italiane është gjëja më e veçantë që kemi. Ajo flet më së miri për kulturën, identitetin, traditën, forcën tonë, por edhe për ekonominë tonë. Ajo vlen rreth 250 miliardë euro në të gjithë botën dhe për këtë arsye duam që të njihet zyrtarisht si trashëgimi botërore”, tha Meloni.

Kultura, territori dhe komuniteti

Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, theksoi se sa e larmishme është kuzhina italiane dhe sa thellë është e rrënjosur ajo në gjeografinë dhe historinë e vendit.

“Nga gastronomia e lartë te kuzhina tradicionale e popullit të saj, Italia është e pasur me një kombinim unik përbërësish, pjatash, zakonesh dhe ritualesh. Ushqimi është një pasqyrë e qytetërimit tonë. Kuzhina italiane pasqyron shoqërinë, historinë dhe marrëdhënien tonë me tokën.”

Presidenti i ANCI-t dhe kryetari i bashkisë së Napolit, Gaetano Manfredi, theksoi rëndësinë e një vakti të përbashkët.

“Ushqimi është një shtyllë e identitetit tonë dhe një ngjitës i fuqishëm shoqëror. Nuk ka vakt pa ndarje, nuk ka tryezë pa një histori. Dreka e së dielës bashkon brezat dhe komunitetet. Kjo është arsyeja pse e zgjodhëm atë si simbol në kandidaturën tonë për UNESCO”, tha Manfredi.

Italia – një vend i trashëgimisë botërore

Italia tashmë ka më shumë vende nën mbrojtjen e UNESCO-s në botë – plot 61.

Në listën e trashëgimisë jomateriale ka edhe 19 elementë të tjerë, duke përfshirë operën dhe tingëllimin tradicional të kambanave.

Vendimi i UNESCO-s nëse kuzhina italiane do të shpallet trashëgimi kulturore jomateriale pritet në dhjetor.

LEXO EDHE:

Back to top button