Izraeli miraton planin e Trump për armëpushim në Gaza
Izraeli miraton planin e Trump për armëpushim në Gaza
Kabineti izraelit e miratoi marrëveshjen për armëpushim me grupin militant palestinez Hamas rreth 24 orë pasi ndërmjetësit njoftuan arritjen e saj. Marrëveshja parashikon lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe fillimin e tërheqjes graduale të trupave izraelite nga Gaza, sipas nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në Gazë. Izraelitët dhe palestinezët festuan pas njoftimit të marrëveshjes, e cila është hapi më i madh deri tani drejt përfundimit të një lufte dyvjeçare, si dhe për kthimin e pengjeve të fundit që Hamasi i rrëmbeu gjatë sulmeve vdekjeprurëse në Izrael që ndezën luftën. Shefi i Hamasit për Gazën, i cili jeton në mërgim, Khalil Al-Hayya, tha se ka marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetës të tjerë se lufta ka përfunduar. Një zëdhënës i Qeverisë izraelite deklaroi se armëpushimi do të hyjë në fuqi brenda 24 orëve nga miratimi i marrëveshjes. Pas këtij afati 24-orësh, pengjet e mbajtura në Gazë do të lirohen brenda 72 orëve. Besohen 20 pengje izraelite janë ende gjallë në Gazë, ndërsa 26 të tjera mendohet se kanë vdekur, dhe fati i dy të tjerëve mbetet i panjohur. Hamasi ka thënë se tërheqja e trupave të të vdekurve mund të zgjasë më shumë se lirimi i të gjallëve. Pasi të ketë filluar zbatimi i marrëveshjes, kamionë me ushqim dhe ndihma mjekësore do të hyjnë masivisht në Gazë për t’i ndihmuar civilët, qindra mijëra prej të cilëve janë strehuar në tenda pasi forcat izraelite kanë shkatërruar shtëpitë e tyre dhe kanë rrafshuar qytete të tëra. Lufta në Gazë filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi hynë në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 njerëz, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Lufta hakmarrëse e Izraelit ka vrarë mbi 67.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Ofensiva ka zhvendosur shumicën e 2 milionë banorëve të Gazës, ka shkaktuar shkatërrime masive dhe uri të madhe. /Alsat.mk









