Janevska: Çështja e asistentëve në shkolla do të rregullohet me ligj

Janevska: Çështja e asistentëve në shkolla do të rregullohet me ligj

Gazetare: Melihate Rustemi

Shkollat e mesme të vendit pritet të kenë asistentë arsimorë më së shpejti në janar të vitit 2025. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska deklaroi se çështja e asistentëve në shkolla përfundimisht do të rregullohet me ligj duke paralajmëruar ndryshime në Ligjin për Arsim Fillor, të Mesëm dhe të Mesëm Profesional.

“Ajo që është e rëndësishme dhe nuk është bërë deri më tani, problemi I asistentëve arsimor ose prezenca e tyre në shkolla do ta zgjidhim sistematikisht. Kjo nënkupton se në ligjet e reja për arsim fillor, të mesëm dhe të mesëm profesional do të përcaktojmë një afat që duhet të përfundoj e gjithë procedura dhe kjo do të jetë gati në qershor. Pasi që shumë shpejt do të jetë në debat publik të gjithë do të mund ta shohin, mund të reagojnë nëse kanë vërejtje. Më së shpejti që pres asistentë për shkollat e mesme është Janar 2025”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Ministrja Janevsa u arsyetua se vonesa e asistentëve për këtë vit shkollor u shkaktua për shkak të ribalansit të buxhetit. Kohë më parë Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi se në vitin e ri shkollor 2024/2025, në shkollat e rregullta fillore do të angazhohen mbi 1000 asistentë arsimorë, të cilët do të ndihmojnë në avancimin e procesit edukativo-arsimor të nxënësve me aftësi të posaçme në mënyrë që t’u ndihmojnë atyre në realizimin e detyrave të përditshme shkollore.

Gjatë vizitës në një nga shkollat e komunës së Aerodromit, ministrja Janevska shoqëroi drejtuesit e komunës dhe shkollës në shpërndarjen e 860 tabletëve për klasat e katërta në vlerë mbi 6 milionë denarë, investim i komunës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button