Jo të gjithë “heronjtë” morën ndihmë prej 500 eurove

Shpërblimit prej 500 eurove për personelin mjekësor, nuk iu gëzuan të gjithë ata që po përballen në vijën e parë të frontit me pandeminë. Disa prej kategorive në sistemin shëndetësorë që kanë mbetur jashtë listës shprehin indinjatën se janë lënë pas dore edhe pse janë të kyçur direkt me pacientët e prekur me CoVid-19. Por, Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se do të ketë një mundësi shtesë që përveç uniformave të paguhet edhe stafi ndihmës i institucioneve shëndetësore.

 Pas reagimeve dhe informacioneve në opinion se gjatë hartimit të listave janë bërë lëshime, dhe duke u bazuar në parimin e barabarësisë, Ministria e Shëndetësisë kërkoi nga drejtorët e të gjitha Institucioneve shëndetësore publike që nëse janë bërë lëshime të dorëzojnë listat me emra për të punësuarit shëndetësor, të cilët ishin lënë pas dore dhe të njëjtit të paguhen në mënyrë plotësuese”-thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndonëse punonjësit administrativ të spitaleve janë angazhuar si logjistikë në kovid qendra, ata mbeten jashtë kësaj liste. Nga stafi administrativ i Spitalit “8 Shtatori” thonë se nëse nuk përfshihen edhe ata në këtë ndihmë, do të bojkotojnë punë e tyre. Me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë të datës 24.11.2020, edhe stafi administrativ i spitalit është angazhuar në kontakte të drejtpërdrejta për të kryer detyra jo vetëm administrative, por edhe shërbime shëndetësore për pacientët e prekur.

 Të punësuarit në administratën e spitalit, si i gjithë stafi medicinal do të kryejnë punë të posaçme deri në ditën kur të përfundoj së punuari kovid qendra. Çdo mosveprim ndaj këtij vendimi apo kundërshtimi i zbatimit të këtyre detyrave do të pasojnë masa disiplinore dhe sanksione të tjera”-thonë nga Drejtoria e Spitalit “8 Shtatori”.

Qeveria në pakon 4 të masave për zbutjen e krizës financiare të shkaktuar nga pandemia, parashikoi njëherësh edhe ndihmën në vlerë monetare prej 31,000 denarëve për 7,600 të angazhuarve prej personelit mjekësor, infermierë, stafit ndihmës dhe të tjerë, të cilët kontribuuan në sistemin shëndetësor gjatë kohës së pandemisë së shkaktuar nga virusi korona.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button