Gazetar: Mihaillo Donev
Mbi 7,5 milionë euro dëm në buxhetin e “EMV-Distriubuimi” është shkaktuar me veprën ku përveç ish-drejtorit Bujar Dardhishta, hetohen edhe 33 persona, ndërsa 11 janë arrestuar. Sipas Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Dardhishta dhe tre persona të tjerë nga EMV- Distribuimi kanë krijuar bashkim kriminel për të keqpërdorur procedurën e thirrjes publike, ndërsa në këtë qëllim u janë bashkuar edhe 26 të dyshuar. Qëllimi ka qenë manipulimi i procedurës së thirrjes publike për nevojat e EMV- Distribuimi dhe shpalljen ta fitonin tani personat juridikë të dyshuar nga Shkupi dhe Kumanova.
“Subjekti juridik nga Kumanova është paraqitur si operator ekonomik me dokumentacion jo të plotë dhe me ofertë më të lartë se ajo e subjektit juridik nga Shkupi, i cili ka ofruar pothuajse të njëjtin shumë me vlerën e vlerësuar të prokurimit publik, edhe pse vlera nuk ishte publikuar në shpalljen e prokurimit publik. Me këtë veprim kanë mundësuar që subjekti juridik nga Shkupi të fitojë kontratën për prokurimin publik të “SKAD Ormari” dhe të përfitojë pasuri të kundërligjshme në vlerë prej 472.470.407 denarë me TVSH, përkatësisht 7.682.445 euro në dëm të buxhetit të EMV-Distribuimi”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit.
“Të denoncuarit, me qëllim që për vete ose për të tjerët të sigurojnë pasuri të kundërligjshme dhe të fshehin origjinën, lëvizjen dhe pronësinë e fondeve, të njëjtat në vlerë totale prej 2.041.576 euro, i kanë futur në qarkullim, i kanë pranuar dhe i kanë transferuar dhe me këto veprime kanë kryer veprën penale -Pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepër e dënueshme-”, thonë tutje nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit.
Arrestimet ndodhën në dy ditët e fundit, ndërsa me urdhër të Prokurorisë, policia gjatë këtyre dy ditëve ka kryer bastisje në Shkup dhe rrethinë, si dhe në Kumanovë, Negotinë, Veles, Pehçevë, Probishtip dhe Koçan. Jozyrtarisht, Dardhishta është arrestuar në pikën kufitare Bllacë kur ka tentuar të largohet nga shteti, por nga MPB nuk e konfirmuan këtë informacion. Dardhishta është kuadër i BDI-së, i cili më herët ishte edhe drejtor i Librave Amë, kur kishte numër rekord të emrave dhe mbiemrave të gabuar në certifikatat e lindjes./ Alsat.mk








