Kamata më nuk mund të jetë më e lartë se borxhi

Sindikatat dhe organizatat e shoqërisë civile janë pjesërisht të kënaqur me ndryshimin e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve. Kërkesa e tyre një dekadëshe u miratua – kamata mos ta tejkalojë lartësinë e borxhit, por vlerësojnë se rregulli duhej të zbatohej në mënyrë retroaktive. Sindikalisti Marjan Ristevski, për Alsat tha se nga e hëna ai do të kërkojë takime me Ministrin e Drejtësisë, dhe Guvernatoren e Bankës Popullore, për të gjetur një mundësi, që zgjidhja ligjore të vlejë edhe për debitorët e vjetër. Informacioni i Konfederatës së Sindikatave të Lira është se një numër i madh i qytetarëve ende paguajnë kamatë në këste, për një borxh që nuk ishte aspak i madh.

“Ne nuk do të ndalemi këtu, si konfederatë. Tjetra që do të jetë, do të kërkojmë ta aktivizojmë ligjin e vjetërimit të borxhit. Tashmë jemi në procesin e hartimit së bashku me sindikatat evropiane, në vendet ku ekziston Ligji për Falimentimin Personal. Ne do t’ia dorëzojmë Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit”- deklaroi Marjan Risteski -Konfederata e Sindikatave.

Ndryshimet në ligj do të hyjnë në fuqi më 1 tetor. Sipas rregullave të reja, qytetarët nuk do të paguajnë kamatë për detyrimet e papaguara, më të larta se borxhi kryesor. Si qeveria ashtu edhe opozita ishin unanime për këtë vendim në kuvend, dhe ligji mori dritën jeshile me mbi 80 vota. Nga LSDM thonë se ligji është në interes të qytetarëve.

“Kur shuma e kamatës së papaguar të arrijë shumën e kryegjësë, kamata ndalon të rrjedhë. Kjo në praktikë do të thotë që nuk do të ketë më situata, kur një qytetar për një borxh prej p.sh. 500 denarë të paguajë pesë mijë, tetë mijë ose dhjetë mijë denarë me bazë për kamatë”- pohoi Jovan Mitreski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM -së  .

Ligji do të zbatohet si për personat juridik, ashtu edhe për ata fizik. Vetëm në periudhën e fundit, qytetarët në rrjetet sociale publikuan vendime nga përmbaruesit për arkëtimin e shumave të mëdha, për borxhet e papaguara edhe atë për vetëm disa denarë.

Ile Petrevski

LEXO EDHE:

Back to top button