Numri më i ulët i të vaksinuarve, në Gostivar dhe Strumicë

Tetova, Kërçova dhe Negotina janë qytetet ku është rritur më shumë numri i qytetarëve të vaksinuar muajin e kaluar pas aplikimit të masave kufizuese. Edhe pse banorët e Tetovës dhe Kërçovës ishin në listën e qytetarëve më pak të vaksinuar në krahasim me qytetet e tjera vetëm një muaj më parë, tani ata kanë një rritje prej gati 20 përqind të atyre të vaksinuar me dozën e parë. Pasi filluan të vlejnë masat me të cilat kërkohet certifikatë për hyrje në vende të caktuara në mbarë shtetin është rritur numri i vaksinimit për 14 përqind. Tani më pak të vaksinuar apo nën 40 përqind ka në Gostivar, Strumicë, Vinicë, Kumanovë, Dibër dhe Kratovë. Mbi 50 përqind e popullsisë së vaksinuar janë në Manastir, Veles, Kavadar, Gjevgjeli, Ohër. Në Shkup, janë 47.9 për qind të vaksinuar, pra mbi 238 mijë. Që të arrihet imuniteti kolektiv, duhet të vaksinohen më shumë se 70 përqind e qytetarëve.

Autoritetet shëndetësore në vend tashmë njoftojnë një shtrëngim të masave nga muaji tjetër, në varësi të situatës me kovid-19 dhe mutacionet e tij. Qytetarët do të duhet të kenë dy doza të vaksinës që të mund të dalin në kafene, restorant, teatër ose ndonjë ngjarje tjetër. Edhe vendet evropiane, për shkak të rrezikut të një vale të re të të infektuarve me Kovid, kanë filluar të aplikojnë masa më të ashpra kundër Kovidit, me qëllimin e vetëm të vaksinimit masiv të qytetarëve. Italia dhe Sllovenia janë vendet e para që miratuan masat më të rrepta kundër kovidit, që pritet të hyjnë në fuqi së shpejti. Qeveria italiane ka miratuar një ligj, që kërkon nga punonjësit e sektorit privat dhe publik të kenë certifikatë vaksinimi, test negativ ose vërtetim se e kanë kaluar sëmundjen që ata të mund të shkojnë në punë. Nëse ky vendim nuk respektohet, punonjësi mund të pushohet nga puna, të ulet paga, ose të gjobitet deri në 1.500 euro. Sllovenia ka miratuar një masë, që do të lejojë vetëm punonjësit e vaksinuar në administratën shtetërore të shkojnë në punë.

Andrea Cobanova

LEXO EDHE:

Back to top button