Carovska këmbëngul se në shkolla ka kushte për zbatimin e konceptit të ri

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska nuk heq dorë nga qëndrimi I saj se shkollat duhet të punojnë sipas konceptit të ri mësimor, posaçërisht për klasën e parë dhe të katërt. Në emisionin 360 gradë në Alsat, Carovska sërish tha se shkollat me kohë janë furnizuar me numrin e librave të kërkuar dhe mjeteve digjitale për mësim, me përjashtim të rasteve të caktuara.

“MASH-i për herë të parë këtë vit më 1 shtator i ka shpërndarë të gjithë librat e kërkuar mes çka edhe libra krejtësisht të ri për klasën e parë dhe për të katërtën libra digjital. Të mos harrojmë se edhe para 1 shtatorit janë lëshuar 3300 tabletë sipas kërkesave të komunave sepse ne nuk jemi ata drejtpërdrejtë që kemi qasje sepse kompetenca është e komunës, çdo herë jemi në koordinim me komunën për përcaktimin e numrit të nevojshëm”- deklaroi Milla Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Ndryshe nga Carovska, këshilltarja shtetërore e Avokatit të Popullit, Vaska Bajramovska – Mustafa prezantoi një pasqyrë tjetër të kushteve për mësim. Ajo tha se te Avokati i Popullit tashmë kanë mbërritur dhjetëra ankesa të verifikuara  për mos realizim të procesit mësimor sipas reformave të reja. Ankesa të shumta ka edhe për fotokopjimin e librave digjital dhe mosrespektimin e protokolleve shëndetësore për mësim.

  “Është fakt se librat digjital, në kuptimin e asaj si është paraparë me konceptin dhe që filloi të praktikohet nga shtatori këtë vit, për fat të keq nuk arriti deri te të gjithë fëmijët, ne sërish kemi problem. U’a them, para se të vij këtu vjen prindi dhe thotë, personalisht nëse ka nevojë edhe parashtresë do të ngre se fëmija im është me arsimim digjital, dhe unë u detyrova të paguaj 1700 denarë sepse e di personin për materiale të printuara, sepse nuk mundet të merret pajisja. Fundja nuk është detyrim i prindit të blejë pajisje për fëmijën e tij. Kjo duhet të jetë e qartë”- pohoi Vaska Bajramovska Mustafa, këshilltare shtetërore e Avokatit të Popullit.

Këtë javë, Avokati i Popullit prezantoi një sërë ankesash të parashtruara nga prindërit për zbatimin jo të plotë të protokolleve për mësim, klasa të stërngarkuara me nxënës dhe tualete pa mjete higjienike dhe dezinfektues.

 

Melihate Rustemi

 

LEXO EDHE:

Back to top button