10 ditë nga tragjedia në Tetovë, asnjë rezultat nga hetimi

Cila ishte arsyeja e zjarrit, djegies së shpejtë dhe parregullsitë eventuale që sollën tragjedinë në Tetovë, nuk dihet akoma. Ekspertët gjermanë kanë përfunduar shqyrtimin e provave materiale dhe dëshmive në terren por lënda është akoma në fazë parahetimore. Edhe 10 ditë pas rastit tragjik ku jetën e humbën 14 persona, prokuroria nuk bën të ditura detaje të tjera.

Prokuroria Themelore Publike

“Rasti është akoma në procedurë parahetimore. Ka përfunduar shqyrtimi nga ana e ekspertëve gjermanë dhe vazhdon mbledhje dhe verifikimi i dëshmive verbale dhe materiale për vërtetimin e arsyeve që shkaktuan zjarrin në spitalin e Tetovës. Edhe në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion vazhdon procedura për shqyrtimin e dokumentacionit për tenderët.”

VMRO-DPMNE-ja beson se institucionet vonojnë me punën e tyre. Kërkojnë hetim të shpejtë dhe përgjegjësi, sidomos përgjegjësi politike.

 “Qytetarët kanë të drejtë të dinë kurse autoritetet duhet të japin përgjigje në vend se të heshtin. Kush është fajtor që akoma nuk ka përgjigje se nga cili material janë ndërtuar spitalet modulare? Kush është fajtor se ajo që është dashur të rezistojë të paktën dy orë, u dogj për 2 minuta? Ka më shumë pyetje për të cilat akoma pritet përgjigje për të cilat Zoran Zaev dhe Venko Filipçe, bashkë me drejtorët nga BDI-ja, duhet të japin përgjigje.”

Për gjendjen në sistemin shëndetësor, LSDM-ja mvesh me përgjegjësi opozitën.

LSDM

“Igor Nikollov duhet të turpërohet kur kërkon përgjegjësi, moral dhe etikë. Duhet të turpërohet t’i shikojë në sy kolegët e tij mjekë dhe personelin mjekësor kur flet për ndërtime, duhet të tregojë se sa shumë do të bëhej për sistemin shëndetësor me 600 milionë euro (aq sa ka kushtuar “Shkupi 2014”).”

Sipas BDI-së, opozita keqpërdor politikisht situatën dhe qytetarët mund ta vërejnë këtë.

 “Natyrisht që ne kemi informacione që edhe protestat e djeshme kanë qenë me instruksione të drejtpërdrejta nga zyrtarë të lartë të opozitës shqiptare. Ne u bëjmë thirrje edhe një herë që t’i mbajnë duart larg kësaj tragjedie.”

Aleanca për Shqiptarët

“Opozita i ka fajet”. Kjo është retorika më banale dhe përgjigja e vetme që dëgjojmë nga regjimi hibrid sa herë që përballen me realitetin e hidhur për mënyrën se si kanë qeverisur vendin. Sot duhet të tregoni deri ku kanë arritur hetimet për djegien e Spitalit modular në Tetovë, kush do të mbajë përgjegjësi për 14 jetë të djegura në zjarr?”

Për hetim të shpejtë dhe zbardhje të plotë të tragjedisë kishte bërë thirrje edhe Presidenti Stevo Pendarovski.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button