Gazetar: Suad Bajrami
Prorektori për financa, investim dhe zhvillim i Universitetit “Nënë Tereza”, Bujamin Bela për Alsat shpjegon projektin e ri të kampusit universitar, i cili do të kushtojë 42 milionë euro, do të shtrihet në 32 mijë metra katrorë dhe do të përbëjë një ekosistem të veçantë. Me ndërtimin e këtij objekti që sipas marrëveshjes duhet të përfundojë brenda 5 vitesh, do të jetë e nevojshme të hapen drejtime të reja dhe me këtë të ketë punësime shtesë të stafit akademik dhe administrativ.
“Kampusi i ri është një ekosistem në vetvete, që nënkupton diku 8 fakultete do t’i ketë brenda, nga ato janë 4 fakultete teknike dhe 4 sociale, ekonomike juridike e kështu me radhë. Do të ketë hapësira për studentët siç janë pjesa e parkingut, pjesa e sallave sportive, pjesa e kafenesë universitare, pjesa tjetër e një pishine gjysmë-olimpike e kështu me radhë. Gjitha këto do të jenë në krijimin e kushteve sa më dinjitoze, sa më moderne dhe konkurruese që studenti të hyjë brenda kampusit, të ndjejë atë lloj shkëputje nga jeta e jashtme, të fokusohet në dije, kërkim, bibliotekën universitare, laboratorët hulumtues”, deklaroi Bujamin Bela, Prorektor për financa, investime dhe zhvillim.
Financimi i projektit sipas Belës do të bëhet në bazë të dinamikës së punimeve në terren, ndërsa paraprakisht në vitin 2025 janë lëshuar 2.5 milionë euro, ndërsa aktualisht 900 mijë euro. Plotësisht, do të kërkojnë mjete shtesë me rebalancin e buxhetit, ndërsa nuk presin që të ketë zvarritje në zbatimin e punimeve.
“Në bazë të dinamikës së punimeve, pasi që veç janë larguar të gjitha barrierat administrative, është siguruar baza ligjore, unë mendoj se nuk do të kemi probleme në zhvillimin e dinamikës…Projekti është për 5 vite i planifikuar, ne shpresojmë që me dinamikën e punës, me mbikëqyrjen e vazhdueshme, me presionin të gjithë aktorëve qoftë politik ose jopolitik, të bëhet që ky realizim të mos mbetet në këtë fazë, të mos ketë faza të stërzgjatura”, u shpreh Bujamin Bela, Prorektor për financa, investime dhe zhvillim.
Dje edhe zyrtarisht u hodh gurthemeli, në prani të kreut shtetëror. Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup u themelua në dhjetor të vitit 2015, ndër projekti zgjidh golgotën shumëvjeçare me mungesën e hapësirave të nevojshme. /Alsat.mk








