Kanadaja ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

Kanadaja po përpiqet të ndalojë hapjen e profileve në mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç përmes një ligji të ri, raporton Deutsche Welle .

 Qeveria gjithashtu planifikon të rregullojë chatbot-et bazuar në inteligjencën artificiale (IA).

Ligji, i cili u prezantua dje në parlamentin kanadez, parashikon përjashtime për kompanitë që vërtetojnë se platformat e tyre përmbushin standarde të caktuara sigurie.

Kriteret për këto përjashtime do të shpallen më vonë.

“Po dështojmë në mbrojtjen e fëmijëve tanë. Mjaft më. Nevojiten masa mbrojtëse themelore”, tha Ministri Kanadez i Kulturës, Mark Miller.

Çfarë përmban ligji i ri për sigurinë dixhitale?

Ligji ndalon shtatë kategori përmbajtjesh të dëmshme në internet, duke përfshirë abuzimin me fëmijët, vetëlëndimin, dhunën, gjuhën e urrejtjes, ekstremizmin dhe imazhet intime të paautorizuara.

Sipas burimeve qeveritare, ligji mund të miratohet brenda një viti.

Ai parashikon gjithashtu krijimin e një rregullatori të ri — Komisionit të Sigurisë Dixhitale të Kanadasë — i cili do të zbatojë ligjin dhe do të monitorojë përputhshmërinë e tij.

Ky rregullator do të vendosë gjithashtu standarde sigurie për chatbot-et e inteligjencës artificiale, duke përfshirë masa për të mbrojtur fëmijët.

Zyrtarët qeveritarë deklarojnë se pas miratimit të ligjit, do të duhen rreth 18 muaj për të krijuar rregullatorin.

Kompanitë që nuk i përmbahen rregullave mund të gjobiten deri në 3 përqind të të ardhurave globale ose deri në 10 milionë dollarë kanadezë (rreth 6.2 milionë euro), cilado qoftë më e lartë.

Rrjetet sociale dhe chatbot-et e inteligjencës artificiale si burim i problemeve mendore

Futja e ligjit vjen pas vendimit të Australisë në dhjetor, e cila u bë vendi i parë në botë që ndaloi mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç.

Projektligji vjen gjithashtu disa javë pasi familjet e prekura nga një nga të shtënat masive më të këqija në Kanada në shkurt ngritën padi kundër OpenAI dhe CEO-s së saj, Sam Altman.

Ata pretendojnë se kompania ishte në dijeni të planeve të dyshuara të sulmit, por nuk e njoftoi policinë.

“Mediat sociale dhe chatbot-et e mundësuar nga inteligjenca artificiale janë krijuar për të mbajtur vëmendjen e njerëzve. Ato nuk janë të favorshme për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve dhe po bëhen burim ankthi, izolimi, depresioni dhe probleme të tjera të shëndetit mendor për shumë të rinj kanadezë. Ky legjislacion do të ofrojë një mjedis më të sigurt për të rinjtë dhe do t’i ndihmojë ata të zhvillojnë marrëdhënie të vërteta shoqërore, të përqendrohen në shkollë dhe të fitojnë aftësi praktike”, tha Miller.

 

LEXO EDHE:

Back to top button