Kendrick Lamar e këndoi edhe “Not Like Us” në Super Bowl
Kendrick Lamar e këndoi edhe “Not Like Us” në Super Bowl

Reperi i njohur Kendrick Lamar përdori shfaqjen e tij në pauzën ndërmjet dy pjesëve të lojës të futbollit amerikan, në spektaklin “Super Bowl” për “një hakmarrje” ndaj reperit të njohur kanadez, Drake, duke e bërë këngën “Not Like Us” pjesë qendrore të performancës së tij.
The New York Times ka shkruar se ajo që do të mbahet mend nga kjo performancë nuk do të jenë zgjedhjet muzikore të Lamarit, estetika e koreografisë, apo përzgjedhja e veshjes së tij.
Ajo që do të mbetet është buzëqeshja e tij kur filloi të këndonte atë këngë. Një buzëqeshje e madhe, e qëndrueshme, si thuhet, pothuajse e tepruar në formë.
Buzëqeshja e një njeriu, për të cilën Times shkruan se dukej sikur po kënaqej tej mase, duke performuar në dëm të një armiku.
Kjo këngë, e cila u cilësua si “himni” i një brezi, ka fituar dy çmime “Grammy” dhe u shfaq si kulmi i grindjes në mes të reperëve.
Megjithatë Lamar është reperi i parë që performon solo në spektaklin “Super Bowl”.
Lamar e performoi këngën me një buzëqeshje të gjatë, duke shprehur kënaqësinë e tij për këtë moment. Kënga përmban akuza ndaj Drake, duke e quajtur atë një “pedofil të certifikuar,” çka e bëri këtë performancë të diskutueshme, por Lamar i “rregulloi” disa fjalë në mënyrë që të shmangte ndjekjen penale.
Në pjesën tjetër të setit të këngëve që ka perfromuar, Lamar këndoi këngët nga albumi i tij i fundit “GNX”, ndërsa performoi me këngëtaren e famshme SZA disa duete, për të cilat Times ka shkruar se tingëllonin si të papërfunduara.
Pjesë e shfaqjes ishte edhe aktori i njohur Samuel L. Jackson, i cili ngacmonte Lamarin, duke e kritikuar për zgjedhjen e tij të këngëve.
Lamar gjithashtu përdori elemente metadiskursive, duke përfshirë komente për përfaqësimin e artistëve me ngjrë në “Super Bowl” dhe për përdorimin e performancës së tij si një lloj hakmarrje.
Ai ka përdorur një moment të performancës për të reflektuar mbi vetë mënyrën se si performon apo mesazhet që po dërgon rreth përfaqësimit të kulturës hip-hop.
Agjencia e lajmeve Associated Press ka raportuar se gjatë një konference për shtyp para se të mbahej shfaqja, Lamar ka thënë se ka qenë gjithmonë i hapur që të tregojë histori të ndryshme.
“Kam qenë gjithmonë i hapur për tregimin e historive në gjithë katalogun e këngëve të mia dhe historinë e muzikës time. Dhe gjithmonë kam pasur pasion për ta sjellë këtë në çdo skenë që jam”, ka thënë reperi.
Ai, në konferencë, ka shtuar se kjo performancë është shumë e rëndësishme për të si dhe për kulturën e hip-hopit.
Pavarësisht këtyre elementeve, sipas Times, performanca e Lamar ishte kryesisht një mënyrë për të përdorur “Super Bowlin” për një hakmarrje personale.