Kërkesa për pezullim të dialogut, BE ia përkujton Hotit zotimin e dhënë për vazhdim të tij

Selim Selimi, ministri i Drejtësisë dhe përfaqësuesi i AAK-së në dialog, kërkoi sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës pezullimin e menjëhershëm të dialogut Kosovë-Serbi për shkak të konfirmimit të aktakuzave ndaj figurave më kryesore të UÇK-së dhe politikës së pasluftës.

- Advertisment -

Kryeministri Avdullah Hoti iu përgjigj duke thënë se nuk ndërhyjnë në vendimet e organeve të drejtësisë dhe se në Qeverinë e Kosovës nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për klankosova.tv nuk e ka komentuar deklaratën e Selimit, por rikujtoi se kryeministri Hoti është zotuar për dialog dhe vazhdim të tij pas rifillimit.

“BE-ja është lehtësuese e dialogut dhe ne jemi duke u përqendruar në këtë rol. Nuk po komentojmë vërejtjet publike të zyrtarëve të ndryshëm nga njëra anë ose nga tjetra. Dialogu, pas rifillimit të tij në korrik, përsëri po vazhdon dhe po përparon me takime në nivel ekspertësh dhe të nivelit më të lartë politik. Udhëheqësit nga të dyja anët – Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Hoti konfirmuan (në një deklaratë të përbashkët më 7 shtator) se ata i japin përparësi të madhe integrimit në BE dhe vazhdimit të punës në dialogun Beograd-Prishtinë. Pasja parasysh e këtij zotimi të qartë dhe kuptimi i prioriteteve është esenciale për progresin dhe përparimin në rrugën europiane për Kosovën dhe Serbinë”.

Më 7 shtator të këtij viti, Hoti dhe Vuçiq i konfirmuan përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme, Josep Borrell, se ata i kushtojnë përparësi të lartë integrimit në BE dhe vazhdimit të punës në procesin e dialogut.

Ata gjithashtu u zotuan se do të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar harmonizimin e mëtejshëm me BE-në në përputhje me detyrimet e tyre përkatëse.

“Në këtë drejtim, dokumentet e rëna dakord së fundmi në Washington duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme të lidhura me Dialogun, të ndërmarra nga të dy palët mund të japin një kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhej në komunikatën e përbashkët, të cilës iu referua Stano për Klan Kosovën.

LEXO EDHE:

Back to top button