Këshilli konstatoi dorëheqjet e dy anëtarëve

Këshilli konstatoi dorëheqjet e dy anëtarëve

Gazetar: Ardit Ramadani

Pasi për një periudhë të gjatë kohore janë cak i kritikave ndërkombëtare dhe të ekspertëve vendas, kanë filluar dorëheqjet e para në Këshillin Gjyqësor. Sot u konstatua dorëheqja e gjykatësve Zoran Gerasimovski dhe Mirjana Radevska-Stefkova, e cila në ditën e saj të fundit në institucionin më të lartë gjyqësor në vend, ju tha kolegëve se punojnë në mënyrë jo-transparente, zgjedhin gjykatës duke mos-respektuar ranglistat si dhe nuk pajtohet me veprimet e fundit të tyre, përfshirë edhe shkarkimin e ish-kryetares, Vesna Dameva.

“Dallimi i parë ishte në mosmarrëveshjen time që Gjykatës së Lartë të mos i jepeshin dosjet e ankimeve të gjyqtarëve, që për mendimin tim nuk u dashtë ashtu të vendoset. Pas kësaj, procedurat e para që u ndërmorën nga ana e këshillit në lidhje me zgjedhjen e gjykatësve në gjykatat më të larta pas ndryshimeve ligjore, siç ishte zgjedhja e gjykatësve në Apelin e Gostivarit dhe zgjedhja e gjykatësve në Gjykatën Supreme të fushës penale, konsideroj që mos zgjedhja e gjykatësve penal në Gjykatën Supreme si dhe zgjedhja e gjykatësve të apelit në Gostivar duke mos e respektuar ranglistën, pa asnjë shpjegim, është procedurë jo transparente,” – Mirjana Radevska Stefkova, gjykatëse në Gjykatën Supreme.

Gerasimovski nga ana tjetër ishte më i butë. Ai pranoi se situata në këtë institucion nuk është fare e mirë, por refuzoi t’i përmend parregullsitë që e kanë çuar atë deri te vendimi për dorëheqje.

“Duke marrë parasysh turbullirat e fundit në Këshillin Gjyqësor, që nuk është ndonjë fshehtësi besoj se duhet të jap dorëheqje sepse më shumë do të kontribuoj në Gjykatën e Apelit të Shkupit sesa si anëtar i këshillit,” – Zoran Gerasimovski, gjykatës.

Pas pranimit të dorëheqjeve, gjyqtarja Mirjana Radevska-Stefkova kthehet në Gjykatën Supreme, ndërsa gjyqtari Zoran Gerasimoski në Apelin e Shkupit. Pas dy mandateve, edhe Selim Ademi sot e la karrigen e zëvendës kryetarit të këtij institucioni dhe në vendin e tij u ul gjykatësi Hanif Zendeli.

Për organizatat joqeveritare që merren me gjyqësorin, nuk mjafton dorëheqja e disa anëtarëve nga Këshilli Gjyqësor. “Të gjithë për gjykime të drejta” dhe “BluePrint” bënë thirrje që e gjitha përbërja aktuale e Këshillit Gjyqësor të shpërbëhet dhe të zgjidhen anëtarë të rinj. /alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button