Klekovski: Janë arritur rezultate, por mungesa e personelit mbetet sfidë
Gazetare: Melihate Rustemi
Në ditën e fundit të mandatit të tij si drejtor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Sasho Klekovski tha se janë arritur mjaft rezultate në sistemin shëndetësor. Sipas Klekovskit, buxheti për shëndetësinë është rritur ndjeshëm, ndërsa në kujdesin parësor është realizuar rritja e pikës së kapitacionit me 33 për qind. Ai tha se për herë të parë, shëndeti mendor është përfshirë si objektiv parandalues për mjekët amë. Në shëndetin publik, ai theksoi rritjen e pagave me 22 për qind dhe rritjen e numrit të punonjësve nga 18 mijë në 18 mijë e 900. Sipas tij, sfidat kryesore mbeten mungesa e personelit, efikasiteti i institucioneve dhe përmirësimi i shërbimeve për pacientët.
“Ky nuk është vetëm një buxhet më i madh. Pas çdo shifre qëndron një masë konkrete për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për pacientët dhe për përmirësimin e kushteve për punonjësit shëndetësorë. Arritëm ta ndalojmë uljen e numrit të punonjësve shëndetësorë. Mungesa e infermierëve mbetet një nga problemet kryesore në sistemin shëndetësor”, tha Sasho Klekovski, drejtor në largim i FSSh-së.
Sipas Klekosvskit, një ndër sfidat kryesore gjatë kësaj periudhe ka qenë sigurimi i barnave. Ai tha se mbi katër miliardë denarë janë siguruar për Onkologjinë, Pediatrinë dhe Neurologjinë, ndërsa lista pozitive e barnave është zgjeruar trefish. Sipas tij, janë bërë hapa edhe për lehtësimin e trajtimit të pacientëve onkologjikë, përmes ndryshimeve në mënyrën e furnizimit me barna.
“Kemi arritur të sigurojmë çmime më të ulëta përmes konkurrencës së barnave gjenerike dhe kemi treguar se me ndryshime të vogla, si kalimi i barnave nga përdorimi spitalor në farmaci, mund t’ua lehtësojmë jetën pacientëve. E kam fjalën për pacientët onkologjikë, por edhe për vetë Klinikën e Onkologjisë”, Sasho Klekovski, drejtor në largim I FSSh-së.
Duke folur për trajtimet jashtë vendit, Klekovski tha se numri i kërkesave të refuzuara ka qenë i ulët dhe se për rastet e arsyeshme është kërkuar mundësi për trajtim. Ai theksoi se të gjitha këto rezultate janë arritur me 30 punonjës më pak në Fond, pa rritur administratën. Klekovski tha se mes projekteve që mbeten për t’u përfunduar janë receta elektronike, sigurimi shëndetësor për fëmijët deri në 18 vjeç, si dhe rregullimet për sigurimin shëndetësor të personave të papunë dhe atyre me të ardhura të ulëta. Sasho Klekovski nga pozita drejtor në Fond, kalon në detyrën e ministrit të ri të Shëndetësisë. /Alsat.mk








