Koalicioni VLEN garanton se nuk do të kalojë ligji për “Branitellat”

Koalicioni VLEN garanton se nuk do të kalojë ligji për “Branitellat”

Gazetar: Suad Bajrami

Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti prej Uashingtonit, ku po qëndron për vizitë zyrtare, ka porositur se Ligji për “Branitellat”, i propozuar nga LSDM-ja nuk kalon. Sipas tij, me këtë ligj BDI, LSDM dhe “E Majta”, i kanë bashkuar forcat me qëllim që të realizohen paralajmërimet për destabilizim.

“Deputetët tanë janë kundër plotësimit të ligjit për branitellat pa ligj për privilegjet e pjesëtarëve të UÇK-së. Publikisht pyes: a është ligji për branitellat tentim për të nxitur tensione ndëretnike dhe për të defokusuar vëmendjen e publikut nga pasurimi marramendës kriminal i udhëheqësve të BDI-së?”, deklaroi Izet Mexhiti, Zv. kryeministër i parë.

Ndërkohë Arben Taravari në intervistën në Alsat, deklaroi se në periudhën në vazhdim do të diskutojnë me partnerin e koalicionit VMRO-DPMNE-së për këtë çështje. Megjithatë, kushti i tyre është që krahas “Branitellave”, të ketë zgjidhje edhe për ish ushtarët e UÇK-së.

“Kjo që ndodh sot është vërtetë shqetësuese dhe patjetër të ulemi si partnerë të koalicionit të diskutojmë. Në qoftë se kërkojmë zgjidhje, duhet të gjendet një zgjidhje edhe për ish ushtarët e UÇK-së edhe për branitellat ose ky problem të lihet për më tutje për ta zgjidhur. Por, të jetë reciproke dhe të jetë e dyanshme dhe jo e njëanshme ku njëra prej etnive të cilat jetojnë do të ndiheshin të ofenduar”, tha Arben Taravari, VLEN.

Ligji për “Branitellat” dhe familjarët e tyre i cili ndodhet në procedurë parlamentare është dorëzuar nga Sllavjanka Petrovska e LSDM-së. Me këtë ligj, listës së përfitimeve financiare për ish forcat e sigurisë dhe familjarët e tyre, i shtohet një nen i cili parashikon kompensim të njëhershëm financiar në bazë të shkallës së invaliditetit deri në 82.000 euro për person. Krahas “Branitellave” të vitit 2001, ligji do t’i kompensojë edhe familjarët e të vdekurve apo pjesëtarëve të vrarë të forcave të sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button