Përplasje politike për tensionet e krijuara në komunën e Vrapçishtit
Përplasje politike për tensionet e krijuara në komunën e Vrapçishtit
Gazetare: Ajnur Bafqari
Tensionet në afërsi të kishës në Toplicë të komunës së Vrapçishtit kanë shkaktuar përplasje politike. Partitë fajësojnë njëra tjetrën se me këtë rast po bëhen vetëm nxitje të tensioneve. Arben Taravari nga koalicioni VLEN, në një intervistë për Alsat tha se tensionet po shkaktohen nga LSDM-ja opozitare, përkatësisht nga Oliver Spasovski.
“Këta persona që kanë qenë në komunë të Vrapçishtit janë aktivistë të flaktë të LSDM-së dhe shumë të afërt me zotëri Isen Shabanin dhe për këto ne do të kemi edhe prova. Ne aspak, normalisht fotografitë mund se kemi dalë me plot njerëz të cilët kanë ardh dhe kanë dalë prej komune, nuk janë as miq tanë, as shokë tanë. Përkundrazi janë aktivistë të flaktë të LSDM-së, bile bile shumë të afërt për zotëri Spasovskin , deklaroi Arben Taravari, koalicioni VLEN.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se tensionet e tilla janë incidente të izoluara të shkaktuara nga persona që sipas tij, kanë frikë nga përgjegjësia.
“Prej informacioneve në terren, unë jam i sigurt se tensione më nuk ka…Por e kam komentuar edhe gjatë ditës së djeshme se çfarë realisht fshihet pas kësaj dhe bëj thirrje përsëri për qetësim të gjendjes gjithandej. Do të ketë provokime të tilla, shumë para janë vjedhur në vitet e kaluara, shumë lojtarë u bënë milionerë, të vetëdijshëm dhe të frikësuar se do të përgjigjen, mënyra e vetme që të shpëtojnë dhe të shkaktojnë destabilizim dhe pasiguri, janë incidentet e tilla të izoluara”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se e dënon ashpër nxitjen e tensioneve për pikë politike.
“Vlerësoj se kjo është në punë për të cilën duhet të flasin institucionet, duhet të bisedojë KOM, BFI, duhet të bisedojë komuna në të cilën ndodhet njëra prej objekteve. Unë përsëri e dënoj ashpër nxitjen e tensioneve ndëretnike me qëllim që të shfrytëzohen për ndonjë pikë politike. Dhe vlerësoj se në rastin konkret, institucionet duhet përfundimisht ta zbardhin rastin, të del në sipërfaqe nëse ato veprime kanë ndonjë prapavijë politike ose jo”, u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Ndërkohë Dioqeza e Tetovës dhe Gostivarit ka theksuar se zgjidhja e problemeve duhet të bëhet në rrugë ligjore dhe jo me protesta dhe dhunë. Bëjnë thirrje për përmbajtje, përkushtim dhe kujdes ndaj paqes dhe respektit të ndërsjellë. Ndërkohë situata në terren është e qetë. Dy ditë më parë, nisi protesta në ambientet e komunës së Vrapçishtit. Revolta ndodhi për shkak të ndërprerjes së punimeve në afërsi të kishës në Toplicë, që sipas autoriteteve, po kryheshin në mënyrë jolegale. /Alsat.mk