Gjykatësi i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Koçan ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për dy persona, të cilët janë kontrollorë tatimorë nga Shërbimi i Kontrollit Tatimor pranë Inspektoratit Rajonal Tatimor në Drejtorinë Rajonale të Shtipit, ndërsa për gjashtë persona të përfshirë në hetim janë caktuar masa kujdesi, dhe për një person një masë shtesë kujdesi, konfirmoi sot kryetari i Gjykatës Themelore – Koçan, Spiro Borisov. Vendimi është marrë pasi Prokuroria Themelore Publike Koçan ka nisur procedurë ndaj gjithsej 11 personave për vepra penale korruptive të lidhura me punën e klubit “Puls”.
Sipas njoftimit të djeshëm të Prokurorisë, dy kontrollorët tatimorë që janë në arrest shtëpiak e kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tyre zyrtare dhe qasjen në të dhëna e informacione për kontrolle të paparalajmëruara në subjekte juridike – detyrues tatimorë, dhe për të siguruar përfitim të kundërligjshëm pasuror dhe dhurata, i kanë zbuluar informatat dhe e kanë paralajmëruar për kontrollet personin përgjegjës në klub.
“Ata dyshohen për veprën ‘Marrje ryshfeti’ sipas nenit 357 të Kodit Penal, ndërsa personi përgjegjës, djali i pronarit real të ‘Puls’, dyshohet për ‘Dhënie ryshfeti’ sipas nenit 358 të Kodit Penal. Për të parët dy, Prokuroria ka dorëzuar propozim për caktim të arrestit, ndërsa për të tretin janë në fuqi masat e kujdesit në lëndën e parë të lidhur me zjarrin në ‘Puls’, prandaj kërkohet zgjerimi i këtyre masave me ndalim të vendosjes dhe mbajtjes së kontakteve me të dyshuarit e rinj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.
Në njoftim gjithashtu theksohet se gjashtë të dyshuar, inspektorë tatimorë dhe drejtues nga drejtoritë rajonale të Drejtorisë së të Ardhurave Publike në Shtip dhe Strumicë, kanë mundësuar që subjektet juridike “MMMM Café” dhe “Puls” të shmangnin kontrollet tatimore dhe të punonin pa fiskalizim të duhur, me ç’rast dyshohen për veprën “Keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” sipas nenit 353 të Kodit Penal. Për ta janë propozuar masa kujdesi.
Pronari i ‘Puls’-it, i cili tashmë është në arrest në lëndën tjetër, dyshohet për veprën “Falsifikim dokumenti” sipas nenit 378 të Kodit Penal, pasi për një periudhë të gjatë kohore me vetëdije dhe me qëllim gjatë kontrolleve nga Drejtoria e të Ardhurave Publike ka paraqitur aparate fiskale të manipuluara me raporte fiskale kontrolluese me të dhëna të pavërteta, të cilat i ka përdorur si të vërteta, me qëllim shmangien e gjobave dhe mbylljes së objektit, shkruan në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas njoftimit të djeshëm të Prokurorisë – Koçan, e dyshuar është edhe një inspektore nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, e cila po ashtu është e përfshirë në procedurën paraprake, ndaj së cilës tashmë janë caktuar masa kujdesi dhe për të cilën tani janë siguruar prova shtesë për veprën penale “Zbulim i sekretit zyrtar” sipas nenit 360 të Kodit Penal, për shkak të zbulimit të informacioneve për kontrolle të paparalajmëruara.








