“Kodi Penal”/ Fillkov merret me çështjen e Badinterit, por nuk përmbush detyrën e kushtetueses

“Kodi Penal”/ Fillkov merret me çështjen e Badinterit, por nuk përmbush detyrën e kushtetueses

Gazetar: Suad Bajrami

Ndryshimet e Kodit Penal të cilat i kërkon Gjykata Kushtetuese, pritet të ndodhin pas zgjedhjeve lokale të tetorit, pasi qeveria ende nuk i ka bërë harmonizimet e nevojshme. Nga Ministria e Drejtësisë, e cila është bartëse e procesit, arsyetohen se ngecjet kanë ndodhur për shkak të ndryshimeve ligjore që kanë të bëjnë me sistemin “Safe City”.

“Për momentin, punohet në harmonizimin shtesë me Ministrinë e Punëve të Brendshme rreth disa çështjeve, përfshirë edhe veprën penale “Drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik”, pas çka ndryshimet e Kodit Penal do të hyjnë në procedurë qeveritare”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Megjithatë, Igor Fillkov, derisa hap çështjen e shfuqizimit të Badinterit, e cila fare nuk është në planin e reformave, ka dështuar që në kohë t’i përgatisë ndryshimet e Kodit, për të cilat Gjykata Kushtetuese me vendim i kërkon prej shkurtit të vitit 2025.

Kryeministri Hristijan Mickoski, theksoi se janë duke punuar për rikthimin e vlerave evropiane, pasi LSDM dhe BDI i shkatërruan vetëm për të aministuar veten për krimet e bëra gjashtë pushtetit të tyre.

“Po po në proces janë. Po punohet. Bëhet fjalë për nenin 353, të cilin Qeveria paraprake për ta amnistuar krimin që e ka bërë, derisa pasurohej në kurriz të qytetarëve dhe blinte qendra tregtare…votuan bashkë në Kuvend, duke e keqpërdorur flamurin evropian për t’u amnistuar me ndryshimet e Kodit Penal, por kjo qeveri do t’i kthejë këto vlera evropiane”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Ndërkohë, Kuvendi këto ditë duhet t’i përgjigjet Gjykatës Kushtetuese, e cila kërkon llogari për shkeljen e afatit gjashtëmujor për t’i miratuar ndryshimet e Kodit Penal. Dje, nga institucion ligjvënës theksuan se kanë formuar grup dhe kompetenca tani është te Qeveria. Megjithatë, deputetët fare nuk janë të informuar për një grup të tillë, pasi praktikisht grupi është bërë nga ana e shërbimeve të Kuvendit që është marrë vetëm me aspektin teknik të lëndës dhe jo atë material.

Kushtetuesja, në shkurt të këtij vitit hapi procedurë pasi shprehi dyshim se ndryshimet e vitit 2023 të Kodit Penal ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Në vendim, theksohet që sipas Aktit të Gjykatës Kushtetuese, nëse Kuvendi nuk vepron sipas udhëzimeve për intervenime ligjore, Gjykata Kushtetuese do t’i shfuqizojë apo anulojë nenet kontestuese.

Në rast se Kushtetuesja shfuqizon ose anulon nene të caktuara të Kodit Penal, do të krijohej zbrazëtirë ligjore, e cila do të prodhonte efekte negative në qarkullimin juridik. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button