Komisionet për arsim dhe juridiko-ligjvënës në Kuvend kanë dhënë dritë jeshile për mbylljen e Agjencisë për Teknologji Nukleare

Komisionet për arsim dhe juridiko-ligjvënës në Kuvend kanë dhënë dritë jeshile për mbylljen e Agjencisë për Teknologji Nukleare

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Nëse nuk e keni ditur, në Maqedoni që nga viti 2010, ka ekzistuar Agjenci për Teknologji Nukleare. Por e njëjta më nuk do të ekzistojë. Dy komisione në Kuvend kanë dhënë dritë jeshile për shfuqizimin e ligjit për themelimin e agjencisë nacionale për teknologji nukleare, me propozim të ministrisë së Arsimit. Ky ligj, ishte miratuar në vitin 2010 me propozim të ministrisë së atëhershme të Arsimit me të cilën udhëhiqte ministri Nikolla Todorov. Megjithatë, që nga themelimi, kjo Agjenci asnjëherë nuk pati të punësuar.

“Nga fillimi i themelimit të kësaj agjencie, e njëjta asnjëherë nuk funksionoi, respektivisht vetëm një periudhë të shkurtër me të udhëhoqi ushtrues detyre drejtor, duke mos pasur kuadër profesional dhe administrativ dhe duke mos i realizuar obligimet për të cilat është themeluar”, tha Vesna Janevska, Ministre e Arsimit.

Kjo Agjenci ishte themeluar për zhvillim të teknologjive dhe hulumtimeve në fushën e fizikës nukleare, fizikës së grimcave elementare dhe hulumtimeve të tjera në fushën e shkencës nukleare. Qëllimi ka qenë që përmes Agjencisë, të merret pjesë në programet shkencore të Organizatës Evropiane për Hulumtime Nukleare (CERN). Ka pasur për detyrë zhvillimin e aplikacioneve për industri, për mjekësi, energjetikë dhe teknologji nukleare. Për çdo vit, nga buxheti i shtetit janë ndarë mjete për këtë Agjenci por herën e fundit kur kjo Agjenci ka harxhuar mjete, ka qenë viti 2014. Më herët në llogarinë e Agjencisë janë paguar harxhime për udhëtim jashtë vendit, por mungojnë të dhëna se kush nga ajo llogari ka udhëtuar jashtë vendit. Honorarë kanë marr vetëm anëtarët e bordit drejtues dhe një akademik nga ASHAM. Kjo agjenci financiarisht ka qenë aktive vetëm dy vite. Agjencia ishte përmendur edhe në “bombat” e opozitës në vitin 2015 kur dëgjohej se në vend të shkencëtarëve fizikantë, punësohen ushtarë partiakë. Në pesë vitet e para nga themelimi i Agjencisë, sipas planeve buxhetore, në dispozicion ka pasur thuajse 400 mijë euro. Zyrat e Agjencisë deri para tre muajve, kanë qenë në ndërtesën e “Një pikë për shërbime”, përballë Gjykatës Kushtetuese./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button