Komisioni për Financa dhe Buxhet miraton debat publik për Ligjin e Lojërave të Fatit
Me dhjetë vota “për” asnjë “kundër” dhe asnjë “të përmbajtur” Komisioni për financa dhe buxhet mori vendim për organizimin e debatit publik për ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese. Vendimi i tillë erdhi pasi në komision kishin arritur tre kërkesa për debat publik, edhe atë, një nga grupi parlamentar i LSDM-së, një nga asociacioni për rregullimin e lojërave të fatit, APIS, dhe e treta nga grupacioni i lojërave të fatit që është në korniza të Odës ekonomike. Kërkesa e organizatorëve të lojërave të fatit ka arritur në Kuvend rreth 3 javë më parë, ata javën e kaluar reaguan lidhur me procedurën për miratimin e ligjit, duke vlerësuar se procesi po zhvillohet pa konsultime të mjaftueshme me sektorin e prekur. Sipas tekstit aktual të propozim ligjit, parashihen kufizime të rrepta për reklamimin e lojërave të fatit, duke ndaluar promovimin që i paraqet ato si rrugë drejt suksesit financiar ose që synon të miturit, si dhe përdorimin e personazheve publike në reklama. Gjithashtu, objektet e lojërave të fatit duhet të jenë të paktën 500 metra larg shkollave, ndërsa brenda kësaj zone ndalohen pajisjet elektronike të lojërave të fatit./Alsat.mk.








