Protesta në Tiranë mori një kthesë mbrëmjen e djeshme, protestuesit nisën një marshim drejt autostradës Tiranë-Durrës

Gazetar: Avni Tahiri

Protesta qytetare kundër qeverisë dhe projekteve të zhvillimit në zonat e mbrojtura në Vlorë të Shqipërisë, u shoqërua mbrëmjen e djeshme me bllokimin e autostradës Tiranë–Durrës dhe rrugës që të çon drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit. Protestuesit marshuan për rreth pesë orë, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe radhë të gjata automjetesh në hyrje dhe dalje të kryeqytetit.

Situata u tensionua pranë hyrjes së aeroportit, ku forcat e policisë ngritën kordon sigurie dhe ndaluan avancimin e protestuesve. Pas një përballjeje pa incidente të rënda, protestuesit vendosën të kthehen drejt Tiranës dhe protesta u shpërnda gradualisht.

Organizatorët e protestës përsëritën kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe ndryshime politike në vend, ndërsa paralajmëruan vazhdimin e mobilizimeve edhe në ditët në vijim. Protesta e djeshme ishte një nga më të mëdhatë të javëve të fundit dhe shënoi për herë të parë bllokimin e plotë të autostradës Tiranë–Durrës nga protestuesit.

Organizatorët deklaruan se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme, duke kërkuar ndryshime politike dhe anulimin e projekteve për resort luksoz në Zvërnec. Ndërkohë, autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur nëse do të merren masa shtesë për garantimin e qarkullimit gjatë protestave të ardhshme./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button