Kompanitë vendore do ta furnizojnë me veshmbathje dhe ushqime NATO-n
Këpucë, veshje, ushqim, prodhime metalike, shërbime IT dhe logjistika është potenciali i kompanive tona që mund t’ia ofrojnë NATO-s. Pasi kompanitë morën mundësi ligjore që të mund të marrin pjesë në prokurimet publike të NATO -s, tani vendi duhet të punojë se si ta rrisë konkurrencën sepse është shumë e vështirë të arrihet në tregun e NATO -s, thonë nga odat ekonomike.
Lidhja e Odave Ekonomike
“Në mënyrë që ekonomia e Maqedonisë të konkurrojë në atë fushë, ne kemi nevojë për analizë serioze, qasje strategjike dhe ndërmarrje të veprimeve të organizuara në ankandin e produkteve dhe shërbimeve për të cilat kemi përparësi konkurruese. Përfitimet nuk mund të shfrytëzohen plotësisht pa menaxhim të mirë… “
Për ministren e Mbrojtjes, Radmila Sheqerinska, do të varet nga vetë kompanitë se sa do ta përdorin tregun e NATO -s, por edhe nga mbështetja që do ta japë shteti. Aktet nënligjore ende nuk janë publikuar në mënyrë që kompanitë të dinë se për çfarë mallrash dhe shërbimesh ka nevojë NATO -ja.
“Javën tjetër do t’i miratojmë aktet nënligjore të cilat janë të nevojshme për kompanitë maqedonase që shprehimisht ta dinë se si është plani dhe menjëherë pas kësaj Qendra Mbështetëse për kompanitë maqedonase për pjesëmarrje në tregun e NATO -s që e formojmë në Ministrinë e Mbrojtjes, do të fillojë të punojë”- deklaroi Radmila Sheqerinska – Ministre e Mbrojtjes.
Përmes kësaj qendre, kompanitë do të marrin ndihmë me procedurat e nevojshme administrative. Ndryshe, ndryshimet e miratuara në Ligjin për Prokurim Publik tashmë janë publikuar në Gazetën Zyrtare. NATO ka buxhet vjetor prej rreth 5 miliardë eurosh për prokurim publik.
Andrea Çobanova








