Konferenca Ndërqeveritare në Bruksel, Shqipëria drejt mbylljes së kapitujve të negociatave me BE-në
Shqipëria dhe Bashkimi Evropian (BE) zhvilluan dje Konferencën Ndërqeveritare, duke shënuar nisjen e procesit për mbylljen e kapitujve të negociatave për anëtarësim në BE. Pas takimit, kryeministri Edi Rama, komisionerja për Zgjerimin Marta Kos dhe zv.ministrja qipriote Marilena Raouna vlerësuan progresin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian dhe theksuan rëndësinë e vazhdimit të reformave.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë dje në Bruksel në Konferencën Ndërqeveritare, ku u diskutua edhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në një intervistë për Top Channel, Rama vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit, duke theksuar suksesin në përmbushjen e piketave hapëse dhe hapat që vendin e presin në vijim.
“Është një moment shumë shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit dhe është një moment për të cilin kemi punuar shumë fort qysh prej një kohe të gjatë. Dhe është një moment ku gjysma e punës nëse duhet ta them kështu e kapitujve të hapur do të mbyllet dhe gjysma tjetër e mbylljes do të hapet.
Unë në fakt i kam përmendur, kam qenë kampion i qasjeve të ndryshme në të kaluarën sepse kam mësuar se kapaciteti për të vazhduar zgjerimin, siç ka ndodhur më përpara nuk është aty, në kryeqytetet e rëndësishme dhe është shumë e qartë nga ana tjetër që nëqoftëse bëhet si duhet është gjëja e duhur për tu bërë.Pra e mbështes, por duhet të diskutohet, duhet konceptuar ashtu siç duhet sepse nuk ka të bëjë me një anëtarësim të lehtë. Ka të bëjë së pari me një union real politik dhe së dyti me një rrugëtim të anëtarësimit të plotë me të drejta të plota bashkë me reformat e nevojshme të Bashkimit Evropian.Dëgjoni, Shqipëria është një vend që gjithmonë ka qenë 100% në përputhje me politikën e jashtme të BE-së, kështu që nuk kemi ndjerë ndonjë kënaqësi të përfytyrojmë të kemi veto, duke qenë vendi më pro Bashkimit Evropian e më pro atlantik në Evropë dhe kur them vendi më pro BE-së flas për barometrin e BE-së, nuk flas për atë që mendojmë ne. Ne jemi fanatikë të BE-së, kështu që fanatikët e BE-së nuk mund të vënë veto për vendimet e BE-së”, deklaroi Rama.
Për Shqipërinë, takimi shërbeu për të konfirmuar përmbushjen e standardeve të ndërmjetme dhe për të vendosur standardet përmbyllëse për Grupin 1 “Bazat”, që përfshin Kapitullin 23 – gjyqësorin, dhe 24 – drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, funksionimin e institucioneve demokratike, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike.
Grupi përfshin gjithashtu Kapitullin 5 – prokurimin publik, 18 – statistikat dhe 32 – kontrollin financiar./Topchanel.








