Mickoski i kërkon urgjentisht Prokurorisë të hapë procedurë për Filipçen

Gazetar: Suad Bajrami

Pas akuzave të përditshme të LSDM-së se pushteti nuk ka reaguar me kohë në Gostivar, për të parandaluar helmimin e mijëra qytetarëve me ujë të pijshëm, kryeministri Hristijan Mickoski sot tha se derisa shefi i opozitares LSDM në vitin 2021 ishte ministër i Shëndetësisë, ka pasur mbi 400 paraqitje për ujë jocilësor në Gostivar, por institucionet asgjë nuk kanë ndërmarrë. Mickoski e ftoi organin e akuzës që menjëherë të hapë procedurë.

 ”Në vitin 2021 kur kryetari i LSDM-së ishte ministër i Shëndetësisë dhe kur personaliteti i njëjtë i cili sot del në konferencë në emër të LSDM-së është drejtor në Institutin e Shëndetit Publik, kemi mbi 400 paraqitje për ujë jocilësor në Gostivar. Asgjë, s’kanë ndërmarrë, zero”.
– “Unë e ftoj Prokurorinë, ja prej këtu në Dellçevë, që t’i verifikojë këto gjetje për të cilat tani flas dhe të fillojë procedurë pse këta njerëz kur kanë pasur mundësi nuk kanë ndërmarrë asgjë dhe nuk e kanë mbrojtur shëndetin e gostivarasve dhe jo vetëm të tyre, por edhe të qytetarëve në komunat tjera. Prokuroria patjetër duhet të veprojë ndaj kësaj informate”, deklaroi Hristijan Micksoki, Kryeministër.

Ndërkohë nga LSDM përsëritën kërkesën e tyre për përgjegjësi politike dhe penale nga krerët e institucioneve shëndetësore, në krye me ministrin e Shëndetësisë Sasho Klekovski.

01:52 “Qytetarët e Gostivarit e paguajnë çmimin pasi që për shkak profesionalitetit, në vend parandalimit dhe reagimit të shpejtë, morën paaftësi, fshehje të informatave dhe kalkulime politike. Për atë, duhet të ketë patjetër përgjegjësi edhe politike edhe penale. Penalisht patjetër duhet të japin llogari ministri Sasho Klekovski, drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar, drejtorët qendrave kompetente për Shëndet Publik dhe të gjithë personat zyrtarë të cilët e kanë ditur se çfarë po ndodh, i kanë fshehur informatat, nuk kanë ndërmarrë masa dhe kanë lejuar që shëndeti i qytetarëve të rrezikohet”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.

Për këtë, ministri Klekovski paraprakisht është përgjigjur se janë duke i përgatitur të gjitha të dhënat me analizat dhe rezultatet për cilësinë e ujit në Gostivar, të cilat do të publikohen gjatë periudhës në vazhdim. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button