Konstatohet këshilli Komunal i Tetovës 

Konstatohet këshilli Komunal i Tetovës 

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Me gjashtëmbëdhjetë vota pro, katërmbëdhjetë të përmbajtur dhe asnjë kundër, u konstatua këshilli Komunal i Tetovës. Kryetar këshilli u zgjodh Besar Durmishi, shkruan Alsat.

Pro formimit të këshillit dhe zgjedhjes së kryetarit të ri të këtij organi, votuan këshilltarët e Lëvizjes Besa dhe këshilltarët e VMRO-së, ndërsa të përmbajtur u shprehën këshilltarët e BDI-së, PDSH-së, LSDM-së dhe Alternativës.

“Njëri nga premtimet ishte transparenca dhe llogaridhënia, projektet tjera që kanë ngel në gjysmë, për tokën ndërtimore, rebalancin e buxhetit që të nisin punët të bëhen, sepse e dini se komuna çdo punë duhet ta kaloj në sektorin përkatës. Pra menjëherë në seancën e dytë do i kalojmë ato pika dhe të nisemi me punë”, tha Besar Durmishi kryetar i këshillit të komunës së Tetovës.

Kreu i Tetovës Bilall Kasami tha se përkrahja e VRMO-së, vjen si pasojë e koalicionimit parazgjedhor, ndërsa ka mohuar se këtë përkrahje do ta shpërblej me ndonjë drejtori apo udhëheqës institucioni për VMRO-në.

“Ne marrëveshje kemi pasur më herrët dhe vazhdon e njëjta marrëveshje me VMRO  me rrethana të reja sepse ne si Lëvizje besa nga zgjedhjet e fundit i kemi 12 këshilltar. Ditët në vijim do punohet me gjithë këshilltarët të cilët do iu verifikohet mandati që ta përkrahin shumicën e këshillit të Tetovës”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Në përbërjen e re të këshillit Komunal, Lëvizja Besa ka 12 këshilltarë, BDI 11, VMRO 4, LSDM 2 si dhe PDSH dhe Alternativa nga një këshilltar. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button